Ada e ka nisur në mënyrën jo të duhur sezonin në Kategorinë e Dytë. Velipojakët janë mposhtur në debutim nga ekipi i Iirisë, duke u mundur në shifrat 2-1. Ku pavarësisht disfatës, skuadra e drejtuar nga Altin Xhahysa ka zhvilluar një performancë që mund të cilësohet pozitive.

Por ambiciet e bregdetarëve në këtë sezon patjetër janë të mëdha, ku ata do kërkojnë të jenë në garë për ngjitjen në Kategorinë e Parë. E për këtë arsye drejtuesit kanë afruar në skuadër disa elementë cilësor. I fundit duket se është Samuel Asllani. Futbollist që ka firmosur për velipojakët të paktën për këtë sezon.

Asllani është një element që ka spikatur tek akademia Vllaznia, ku ka shkëlqyer me moshat u-17 dhe u-19. Madje duke fituar trofe me kuqeblutë e duke merituar kështu edhe ftesat në kombëtaret e moshave të Shqipërisë. Ai përket ditëlindjes së vitit 2002, pra ende vetëm 20-vjeçar.

Për një sezon në një ekip të parë, ai është aktivizuar në Gjermani. Dhe më konkretisht tek skuadra e Holzheimer, por problemet me dokumentacionet kanë bërë që ai të rikthehet në vendin tonë.

“Shkodra Sport” mëson se në drejtim të tij ka pasur interesim edhe nga Kategoria e Parë, por sulmuesi i krahut ka vendosur që të jetë pjesë e Adës, për shkakun që të ketë sa më shumë minuta në dispozicion. Dhe pastaj duke parë performancën dhe rritjen personale mund të tentojë transferimin në një ekip ndoshta më cilësor.
Endri ÇINARI