Ndeshja e së dielës në mes Adës dhe Vorës konsiderohet shumë e rëndësishme dhe njëkohësisht përcaktuese për skuadrën që do të ngjitet në kategorinë e parë.

Në rast humbje, Vora do të detyrohet t’i lëshojë vendin e parë Veleçikut. Pjestarët e skuadrës koplikase por edhe tifozë të saj do të jenë të dielën në “Reshit Rusi” ngaqë ata e kanë pushim në kalendar dhe normalisht që do bëjnë tifo për Adën.

Por drejtuesit dhe futbollistët velipojakë kanë premtuar pasditen e sotme se do të bëjnë një ndeshje të mirë mbi të gjitha…për vete.

Arsyeja është se “kanë për të marrë hak” ndaj Vorës e cila në fazën e parë i mundi në një ndeshje me shumë probleme.

Rezultati përfundimtar i atij ballafaqimi ka qenë 2-1 për Vorën por ka patur probleme të rënda me gjykimin që ka favorizuar dukshëm vendasit dhe kjo solli një reagim të ashpër të velipojakëve.

Jo më kot, kjo ndeshje nuk ka zgjatur si zakonisht 90 minuta por mbi 2 orë për shkak të ndërprerjeve të shumta që ajo ka patur.

Për këtë arsye, të dielën pritet që futbollistët e Adës të tregojnë vlerat e veta dhe do të tentojnë me çdo kusht të mundin kryesuesit e kampionatit.
© shkodrasport.com