Partizani i vendit të tretë ka zhgënjyer, madje euforia e prezantimeve të drejtuesve të rinj teknikë e të presidencës është shfryrë keqas me barazimin 1-1 ndaj Adës. Një rezultat i fiksuar në “Qemal Stafa”, pa praninë e tifozëve, çka e bën thuajse të papërfillshme pikën e marrë, kur ambiciet janë të mëdha. Të kuqtë i janë besuar tashmë trajnerit Shpëtim Duro, ndërkohë që janë afruar edhe disa emra të spikatur të futbollit tone, por pak gjëra pozitive kanë dëshmuar ndaj velipojakëve, që përkonte edhe me ndeshjen e parë të fazës së dytë. Misioni i panegociueshëm i presidencës së Partizanit, ngjitja në Superiore, kalonte doemos edhe nga tri pikët e marra në startin e fazës së dytë, mision i parealizuar plotësisht, sepse Dushkaj ka shënuar herët për miqtë, ndërsa Abazaj mezi ka arritur të barazojë shifrat, edhe pse në 45 minutat e dyta epërsia territoriale dhe në lojë ka qenë e thellë për të kuqtë.
Për t’u përmendur është loja shumë e mirë e ekipit të Adës ndërkohë që në pjesën e dytë ata kanë luajtur për disa minuta me 10 futbollistë pas nxjerrjes me karton të kuq të Hotit nga gjyqtari i ndeshjes Sadiku. Për këtë të fundit, drejtuesit velipojakë kanë kontestime sepse sidomos në pjesën e dytë ka ndihmuar dukshëm Partizanin për të shkuar deri tek goli i dytë por pa ia dalë dot.
Java e 16-të
BESËLIDHJA-LUSHNJA    0-0
PARTIZANI-ADA            1-1
KAMZA-BUTRINTI          1-1
NAFTËTARI-ELBASANI    1-1
HIMARA-TËRBUNI          2-2
GRAMSHI-BURRELI         1-0
MAMURRASI-DINAMO     1-0
POGRADECI-ILIRIA         3-0