Tek skuadra velipojake ka entuziasëm. Merkatoja e zhvilluar gjatë janarit ka sjellë optimizëm tek stafi drejtues, krerët e klubit dhe po ashtu edhe tek tifozët e kësaj skuadre. Megjithatë ky entuziasëm tashmë duket se është lënë disi pas. Kjo ngaqë, tek Ada kanë filluar “ethet” e ballafaqimit të parë të fazës së dytë të kampionatit, atë me Partizanin që do të luhet ditën e shtunë. Ndoshta trajneri Ritvan Kulli nuk do ta kishte dëshiruar një përballje të tillë kaq shpejt megjithatë ky është kalendari. Madje jo vetëm I ndeshjes së parë sepse në të dytën pastaj do luhet në Velipojë me Lushnjën, në të tretën me Besëlidhjen në Lezhë e kështu me rradhë. Megjithatë pa shkuar aq larg, drejtuesit e Adës e kanë përqendruar mendjen dhe punën tek përgatitjet për sfidën me të kuqtë ditën e shtunë. Ardhja e gjashtë lojtarëve në merkaton e janarit, ka shtuar opsionet për stafin drejtues megjithatë nuk do jetë e lehtë gjetja e vendit dhe përshtatja e tyre me pjesën tjetër të skuadrës. Portieri Selimaj është një garanci e madhe për mbrojtjen, ndërsa Hoti mund të luajë si në mbrojtje ashtu edhe në mesfushë. Tre të tjerët, pikërisht ata që kanë luajtur me Partizanin në fazën e parë, pra Lini, Tafa e Karakaçi, do luajnë në mesfushë ndërsa ende nuk ka një pozicionim të qartë të Dushkajt nëse do luajë si sulmues I tërhequr apo në majë të këtij reparti. Për Adën, pak problem ka qenë edhe largimi për tek Vllaznia I Erkoçeviç dhe Rusit. Madje, ky I fundit duket se ka shkaktuar më shumë dëm sepse ka krijuar një boshllëk në qendër të mbrojtjes. Ky boshllëk rritet edhe më shumë kur ke parasysh se mbrojtësi me përvojë Isufi ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi që ka patur dhe nuk do jetë I gatshëm për të luajtur as këtë herë. Në kushte të tilla, trajnerit Kulli I duhet të ndryshojë diçka. Ndoshta të adaptojë ndonjë lojtar tjetër në këtë pozicion. Presidenti Alfred Pjetri megjithatë është I bindur se gjërat kanë për të shkuar mbarë. “Ndeshja me Partizanin është shumë e rëndësishme për ne. Luajmë ndaj njërës prej skuadrave më të mira të kësaj kategorie, aq më tepër me riorganizimin e bërë së fundi, ajo duket edhe më e fortë dhe kjo na e vështirëson edhe më shumë punën. Me ekipin tonë janë bashkuar gjashtë lojtarë cilësorë por natyrisht që duhet pak kohë që ata të shkrihen me pjesën tjetër të skuadërs dhe kjo shpresoj të ndodhë sa më parë. Do ishim shumë të kënaqur nëse do ia nisnim me një barazim ndaj Partizanit sepse një pikë do të na bënte shumë punë për të ardhmen, mbi të gjitha në rritjen e anës morale të skuadrës”- ka thënë numri 1 I këtij klubi. Tashmë gjërat duken mëse të qarta tek kjo skuadër. Ada premton të jetë një skuadër ndryshe në fazën e dytë por kjo nuk mjafton vetëm me fjalë pasi duhen rezultatet, pikërisht ato që kanë munguar në fazën e parë.
Gjergj KOLA