Pasditen e sotme në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit është luajtur ndeshja hapëse e javës së 14-të të kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj në mes ekipeve të Universitetit Amerikan të Tiranës dhe Vllaznisë. Kjo e fundit, ashtu siç kishin deklaruar pjestarët e saj që para nisjes nga Shkodra, e mendonin disi të lehtë ndeshjen dhe e tillë ka rezultuar. Basketbollistët shkodranë kanë fituar me rezultatin 71-51 në këtë takim. Ata e kanë nisur mirë ndeshjen. Kanë fituar periodën e parë 19-7 dhe që këtu u krijua epërsia. Ajo erdhi duke u thelluar edhe në periodën e dytë që fitohet sërish nga Vllaznia 13-10.


Në këtë mënyrë me 15 pikë epërsi, djemtë e trajnerit Gjeçaj kanë shkuar në pushimin e ndeshjes. Në periodën e tretë, ai u ka dhënë mundësi edhe lojtarëve të stolit të luajnë dhe sërish ka fitore edhe në këtë 10 minutësh, këtë herë me shifrat 21-18. Në avantazh është mbyllur edhe perioda e fundit, 18-16 dhe kësisoj me 20 pikë epërsi, Vllaznia e ka fituar këtë ndeshje duke pritur kësisoj rezultatet e ekipeve të tjera rivale për të përcaktuar edhe vendin e saj në renditje pas kësaj jave.
www.shkodrasport.com