Pas zyrtarizimit të afrimit të sulmuesit Vildan Kaçubela, mbrojtësit të djathtë Rigers Sekja dhe mesfushorit Rigers Xhahysa, merkatoja e Adës ka vazhduar sërish, pasi është bërë realitet afrimi i dy futbollistëve të tjerë.

Kështu, bëhet fjalë për dy ish-futbollistë të Akademisë Vllaznia, Samuel Asllani dhe Sidrit Barbullushi, të cilët janë bashkuar me ekipin e Adës, duke qenë nën urdhrat e trajnerit Altin Xhahysa.

Të dy futbollistët shkodranë, që më parë kanë luajtur me Akademinë e Vllaznisë, janë detyruar të gjejnë një skuadër tjetër dhe Ada do të jetë destinacioni i ardhshëm për ta. Asllani luan si mesfushor, ndërsa Barbullushi si sulmues, teksa afrimi i tyre e ka forcuar ekipin velipojak në organikë.

Në këtë mënyrë, por edhe me afrimet e tjera në vijim, pritet të shtohet shumë konkurrenca tek Ada. Objektivi për qëndrimin në Kategorinë e Parë duket se do të jetë lehtësisht i realizueshëm.
Maringlen ZHIVANI