‘Te Vllaznia nuk do të ketë blerje sa për të thënë se janë bërë dhe për të shtuar numrin e lojtarëve në skuadër. Do të bëjmë të paktën tri goditje cilësore, të cilat do të na japin garanci për të realizuar synimet në fazën e dytë”. Kështu është shprehur dje presidenti “de facto” i klubit shkodran, Agron Çela. Ashtu siç edhe ai konfirmon, këtë detyrë do ta marrë më 31 dhjetor, duke u zyrtarizuar si president i Vllaznisë. Në një bisedë për gazetën, biznesmeni Çela është në sinkron me teknikun Artan Bushati, i cili pak ditë më parë deklaroi se në skuadër ka vend vetëm për ata lojtarë që do bëjnë diferencën.

“Nga bisedat që kam bërë me trajnerin, ai më ka kërkuar se nuk ka dëshirë të afrojë lojtarë që nuk bëjnë diferencën me pjesën aktuale të grupit. Edhe unë jam i të njëjtit mendim me të, pasi Vllaznisë i nevojiten përforcime sa më cilësore. Pra, lojtarë që bëjnë dallimin në fushën e lojës. Për hir të së vërtetës jemi pak vonë për sa i përket lëvizjeve në merkato, por nuk mund të themi se nuk është e mundur që të afrojmë ata lojtarë që na nevojiten. Menaxherë të ndryshëm po punojnë në këtë drejtim dhe shpresojmë që shumë shpejt të ketë një konkludim”, – është shprehur Çela.
Pozicioni Gjatë kësaj periudhe është folur jo pak për një dyshe administratorësh që do të jetë në krye të klubit shkodran. Mirëpo, vetë biznesmeni Çela, i cili do të mbulojë 60% të shpenzimeve në klub për dy vite e gjysmë, sqaron pozicionin që do të ketë pas 31 janarit, datë kjo kur ai pritet të marrë zyrtarisht drejtimin e klubit. “Dëshira ime nuk ishte që të flisja para 31 janarit për asgjë. Megjithatë, dua të sqaroj se pozicioni im te Vllaznia, nisur edhe nga marrëveshja që do të nënshkruajmë, do të jetë ai i presidentit të klubit. Kështu është rënë dakord edhe me drejtuesit e bashkisë”, – sqaron donatori, i cili gjithashtu shton se për të ka pak rëndësi pozicioni. “Më shumë na intereson ecuria e Vllaznisë”, – ka thënë Çela.
Synimet Drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës i kanë vënë si kusht biznesmenit Çela që Vllaznia të jetë brenda katër vendeve të para në mbyllje të sezonit. Për presidentin kuqeblu, tashmë i rëndësishëm është ndryshimi i situatës aktuale dhe ngjitja sa më shumë e ekipit në tabelën e klasifikimit. Çela është i vendosur që në drejtimin e tij klubi do të arrijë Europën. “Natyrisht që ne kemi ndërmarrë një iniciativë të tillë për të bërë maksimumin dhe më të mirën për Vllazninë. Kemi si synim që të jemi në Kupat e Europës në fund të këtij sezoni, dhe besojmë se me një punë dhe përkushtim të përbashkët do t’ia dalim mbanë. Mendoj se kthesa në rezultate do të jetë e shpejtë. Unë kam besim tek arritja e këtij objektivi”, – ka përfunduar numri një i klubit të Vllaznisë.

Biznesmeni, 150 milionë lekë për fazën e dytë
Edhe pse biznesmeni Agron Çela nuk dëshiron ta bëjë publik investimin që do të bëjë për pjesën e mbetur të këtij sezoni te Vllaznia, burime pranë tij tregojnë për “Panorama Sport” se do të derdhë 150 milionë lekë deri në muajin qershor, kur dhe sezoni mbyllet zyrtarisht. Ndërkohë, deri në këtë periudhë, Bashkia e Shkodrës do të derdhë 100 milionë lekë për klubin e futbollit. Megjithatë, nga sa mësohet, është parë e arsyeshme që drejtuesit e bashkisë të miratojnë edhe një fond shtesë, që do t’i kalojë klubit për rrogat e lojtarëve, por që mund të shërbejë si ndihmë edhe për merkaton e verës. Pritet që sezoni tjetër futbollistik të shënojë një investim shumë më të madh për Vllazninë, teksa projekti i donatorit Çela është për ndërtimin e një ekipi kampion.
ADMIR URUÇI