Shqipëri – Poloni, 12 Tetor, ora 20:45, “Air Albania Stadium”, Tiranë. Mund të jetë kjo data dhe vendtakimi më i rëndësishëm i futbollit shqiptar. Polonia do të vizitojë Tiranën në për të sfiduar kuqeznjtë e trajnerit Edoardo Reja pikërisht këtu, në këtë fushë ku mund të vendoset fati i grupit eleminator ku momentalisht Shqipëria mban vendin e dytë me 1 pikë më shumë se skuadra e këpucës së artë, Robert Lewandowski.

Është pikërisht bomberi i Bayernit të Mynihut që do të shkelë në barin e saposhtruar të fushës së arenës kombëtare që do të rihapë dyert pas dy sfidave të zhvilluara në Elbasan, atë ndaj Hungarisë dhe San Marinos, pikërisht për shkak të punimeve që po kryheshin në katërkëndëshin e gjelbër të stadiumit të kryeqytetit.

Një proces që zgjati disa muaj. Fillimisht heqja e tapetit të vjetër, të papërshtatshëm për kushtet atmosferike të Shqipërisë dhe për karakteristikat e stadiumit të Tiranës, e më pas zëvendësimi me bar hibrid, një kombinim mes atij artificial dhe natyral. Pas vendosjes së taperit të ri, tashmë fusha kërkon kohën e nevojshme për të qenë gati në 12 Tetor kur Arena e shqiptarëve do të presë ndeshjen e parë të sezonit të ri.

Vendimi për ndryshimin e tapetit të gjelbër u mor nga federata për shkak të problemeve që kishte fusha e vjetër pasi bari 100 përqind natyral nuk krijoi kushtet për një fushe perfekte ndërsa bari i ri, gjysmë hibrid është aplikuar në disa nga stadiumet më të mëdhenj dhe të njohur të Europës pasi reziston ndaj kushteve klimaterike ekstreme por edhe ndaj lagështirës e mungesës së diellit që mungon në një pjesë të fushës së Arenës Kombëtare.

Investim i rëndësishëm qindra mijëra euro për të zgjidhur përfundimisht një problematikë shqetësuese. Tashmë topi kalon në këmbët e Kombëtares Shqiptare që në 12 Tetor mund të ketë në këmbë topin e arritjes historike, vendin e dytë të grupit eliminator dhe një biletë për në fazën play off të Kupës së Botës 2022, gjithmonë nëse ndalesa e Budapestit, 3 ditë më parë do të flasë me gjuhën e skuadrës së Edoardo Rejës.