Kur flet për notin në Shkodër, padyshim që do të ndalesh edhe tek familja Shestani, nga e cila plot 6 pjestarë të saj kanë dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh në arritjen e rezultateve pozitive jo vetëm për klubin Vllaznia, por edhe më gjerë.

Sot do të ndalemi tek njëri prej tyre, Marku sepse për të është një ditë e veçantë. Ai feston 82 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Mark Shestani ka lindur në Shirokë më 15 tetor të vitit 1940. Notin e ka filluar në vitin 1953 dhe është marrë me këtë sport deri në vitin 1968. Gjatë këtyre viteve ka thyer disa rekorde dhe ka dalë disa herë kampion i vendit.

Në vitin 1957, ka thyer rekorde me të rinj dhe me të rritur. Gjatë karrierës së tij është shpallur 12 herë kampion i vendit dhe ka vendosur 30 rekorde kombëtare.

Garat e tij 100 dhe 200 m delfin si dhe gara 4×100 m individuale e përzier, kanë qenë të preferuarat e tij. 5 herë është vlerësuar në “10 sportistët më të mirë të vitit” të qytetit të Shkodrës. Ka ndihmuar që ekipi i Vllaznisë të fitonte 6 tituj kampionë në këto vite.

Ka qenë pjestar edhe i ekipit të vaterpolit të Vllaznisë duke dalë 5 vjet kampion i vendit si ekip. Ka marrë pjesë disa herë edhe në gara kanotazhi. Në vitin 1969 ka punuar si trajner me ekipin e paratërejave të Vllaznisë e më pas me të rejat për plot 12 vjet duke zënë shumë vende nderi me ta.

Nga viti 1980 deri më 1994 ka qenë gjyqtar i kategorisë së parë, madje në disa gara edhe si kryegjyqtar. Mban titullin “Mjeshtër Sporti”. Për merita të larta në këtë sport, është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri” në vitin 1974 ndërsa në vitin 2001 u vlerëua me diplomën “Nderi i norit shqiptar” si dhe me medaljen e argjendtë për merita në fushën e sportit.

Ndërkohë me rastin e 100 vjetorit të SK Vllaznia, ai bashkë me pjestarët e tjerë të familjes Shestani janë vlerësuar si “sportistë të shekullit” për këtë klub.
Gjergj KOLA