Dinamo do të tentojë fitoren në transfertë. Nuk ka shkuar më larg se barazimi në Korçë dhe Berat, por në Fier udhëtojnë me mision të qartë: Skuadra po rritet nga java në javë dhe që të gjithë besojnë se ka ardhur momenti. Nevil Dede thur elozhe për Apoloninë dhe e konsideron këtë si përballje “kyçe” për ecurinë e sezonit.

Trajneri ka bindjen se me rikthimin e disa lojtarëve të dëmtuar, skuadra do të jetë edhe më solide. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi jep mendimin e tij edhe për shortin e eliminatoreve të “Euro 2024”, ku shpreh besimin se Kombëtarja do të bëjë diçka pozitive.

Profesor, a do të jetë “e treta, e vërteta” ndeshja e kësaj jave jashtë fushe?
Realisht, ne duhet të tentojmë të marrim maksimumin në çdo ndeshje. Gjëja më pozitive është që ne nuk kemi gabuar në asnjë takim deri tani, por prapë nuk është maksimumi që mund të merrnim. Kjo skuadër meriton të marrë më shumë. Është një ekip i ri, këtë duhet ta pranojmë. Ka ndërthurje elementësh që janë të të gjithë brezave, të çdo lloj moshe, nga datëlindja 2006 e deri te 33 vjeç. Por në fund fare këtë grup e zhvillon rezultati, ecuria pozitive e skuadrës. Kur ka rezultate, rriten edhe të rinjtë, por rritet edhe besimi në skuadër.

Sa rëndësi merr Apolonia si ndeshje, transferta e tretë dhe ndaj një rivali direkt?
Është shumë e rëndësishme, është ndeshje kyçe do të thosha. Në çdo sezon, për çdo skuadër ka disa pika kyçe, nga ku varet ecuria e gjithë kampionatit. Kjo me Apoloninë është e tillë për ne. Kemi kaluar dy sfida të vështira, në Korçë me Skënderbeun dhe në Berat me Tomorin. Nuk është se bëmë më të mirën e mundshme, por i patëm rastet tona, që nuk i shfrytëzuam për të fituar. Por edhe kundërshtari mund të na godiste.

Janë kthyer disa të dëmtuar…
Me ardhjen e disa lojtarëve që kanë pasur dëmtime, mendoj se do të jemi më solidë. E rëndësishme është të mos marrim gol. Sepse kur nuk pëson mund ta luash më qetë ndeshjen. Nuk e mohojnë dot që ne kemi komanduar ndeshjet, por Kategoria e Parë ka një specifikë të veçantë, është shumë pragmatiste.

A është një tur force ky për Dinamon, duke qenë se pas Apolonisë vijnë Flamurtari dhe Korabi?
Po, kalendari është i tillë, por ne mendojmë vetëm për Apoloninë. Edhe ajo është një skuadër e formuar përafërsisht në logjikën tonë. Kanë lojtarë të mirë edhe ata, me eksperiencë dhe të rinj. Kush fiton këtë ndeshje, besoj do të jetë kandidaturë e fortë për kampionatin. Ne jemi Dinamo dhe pretendojmë të fitojmë çdo ndeshje, por duhet të interpretojmë si duhet lojën.

A po vjen grupi aty ku ju pretendoni, sepse jemi në javën e 6-të të kampionatit?
Po, është e vërtetë, në javën e 6-të grupi duhet të jetë në 100%, por ne jemi pak prapa me disa lojtarë, të cilët kanë pasur dëmtime. Këto tri javë realisht janë shumë të forta për emrat dhe përballjet që kemi.

Ndërrojmë pak temë profesor dhe kalojmë te Kombëtarja. Sapo është hedhur shorti i eliminatoreve të Europianit, ju si ish-lojtar, sa shanse i jepni Shqipërisë për kualifikim?
Të jem i sinqertë, mendoj se me çdo kundërshtar do të luajmë ndeshjen tonë. Është shumë e rëndësishme që të kemi të gjithë lojtarët fizikisht mirë, të mos kemi dëmtime. Nëse grupi është i plotë, besoj do të bëjmë diçka të mirë. Rëndësi ka po ashtu që grupi të ketë harmoni, pra të jenë të gjithë për një qëllim. Duam apo s’duam, disa ndeshje kanë treguar se nuk kemi qenë të bashkuar 100%. Vetë grupi do të reflektojë, duke parë edhe kundërshtarët që ka përballë. Të gjithë lojtarët duhet të mendojnë njësoj, jo që është dikush dhe pa atë nuk bëhet Kombëtarja.

Poloninë e njohim mirë, sepse jemi ndeshur kohët e fundit, ndërsa Çekia nuk duket ajo e kohëve më të mira…
Shikoni, ne kemi lojtarë të rinj, që kanë perspektivë. Do të jenë gati 6 muaj më të mëdhenj kur të nisin eliminatoret dhe nëse do të kenë minuta në këmbë, do të bëjmë diçka pozitive, kam shumë besim. Polonia na tregoi se duhet të mendojmë për çdo top, për çdo situatë. Mund t’ia dalim këtë herë.

A mendoni se duhet bërë ndryshim në stol?
Nuk më takon të jap mendim për këtë çështje. Mendoj se grupi ka një motivim të brendshëm në Kombëtare, vetë lojtarët motivohen. Bëhet fjalë për ekipin kombëtar, jo për një staf që duhet të trajnojë çdo ditë në një kampionat të gjatë. Bëhet fjalë për disa ditë, 7 ditë, sepse fillojnë ndeshjet menjëherë. Çdo staf bën zgjedhjen e më të mirëve të momentit dhe fut në fushë më të mirët. Grupi e gjen motivimin, figura e trajnerit është e rëndësishme për të menaxhuar lojtarët dhe për të zgjedhur më të mirët për ndeshje të caktuara.