Duke qenë tashmë në pozicionin e trajnerit të kombëtares U19 të Shqipërisë, Armando Cungu e sheh me qetësi kampionatin dhe ndeshjet e tij duke arritur edhe një konkluzion të qartë për atë se çfarë do të ndodhë në fushën e lojës.

Si rrjedhojë, “Shkodra Sport” i ka bërë një pyetje edhe për kryendeshjen e kësaj jave: Kush do ta vendosë fatin e ndeshjes Partizani- Vllaznia, trajnerët, lojtarët, gabimet, VAR-i apo ndonjë faktor tjetër? Përgjigja e tij ka qenë kjo:

“Fatin e kësaj ndeshje do ta vendosin të gjithë këto faktorët që ju përmendët. Trajnerët kanë pozicionin dhe ndikimin e vet, sportistët patjetër në fushën e lojës sepse ata vendosin shumë gjëra, ashtu si dhe VAR-i mund të ketë ndikimin e vet në këtë ndeshje.

Për Vllazninë e rëndësishme është që të sillet si profesioniste në fushën e lojës. Ajo e ka fituar tashmë stofin e besimit të një skuadre që beson në vetvete dhe nuk shkon e frikësuar siç mund të ketë ndodhur përpara. Shkon në këtë përballje me Partizanin me ballin lart, si një skuadër me vlera e cila do të kërkojë fitoren.

Bilancet me këtë skuadër këto vitet e fundit kanë qenë pozitive për Vllazninë. Edhe kur e drejtoja unë atë dhe kishim shumë probleme, kemi bërë lojëra jashtëzakonisht të mira dhe i kemi marrë pikë dhe madje nuk kemi humbur asnjëherë me ta.

Por tani Vllaznia ka një potencial tjetër, sikurse duhet të shfrytëzojë edhe momentin jo të mirë që po kalon Partizani në këtë fillim-kampionati. Ai ka marrë vetëm 1 pikë dhe për më tepër edhe atë ndaj një skuadre si Skënderbeu me 1 mijë probleme e veta.

Për Partizanin është e vetmja mundësi për të kërkuar fitoren dhe për të qëndruar në ritme të mira dhe në hapin e ekipeve pretendente sepse në të kundërt krijon një hendek që mund ta penalizonte shumë për vazhdimësinë e kampionatit.

Partizani vjen i ngarkuar psikologjikisht në këtë ndeshje, ndërsa Vllaznia është shumë e qetë dhe shkon më entuziaste në Elbasan dhe duhet ta shfrytëzojë këtë fakt, për të kërkuar fitoren”./SHKODRA-SPORT.COM/