Ndryshe nga sezoni i kaluar ku Teuta luftonte për mbijetesë, këtë sezon Teuta sheh nga titulli kampion dhe nga objektivi Europë. Një nga sulmuesit e afruar me bujë në merkaton e janarit, ishte Armando Vajushi i cili në fakt ka pasur jo pak probleme deri sa debutoi ndaj Partizanit.

Në një prononcim për ‘Supersport’, sulmuesi i Teutës ka folur për skuadrën durrsake, duke treguar edhe pikën më të fortë që kjo skuadër ka si edhe për presionin që i japin kundërshtarët.

“Kemi dy javë që stërvitemi mirë. Jemi përgatitur shumë mirë, si grupi, ashtu edhe unë personalisht. Shpresojmë të marrim 3 pikët pasi jemi të mërzitur me barazimet dhe këto rezultatet e fundit që kemi pasur deri më tani.

Nuk mendoj që kemi pikë të dobët, por ka qenë gjendja psikologjike jo e mirë. Shpresojmë ta kalojmë këtë ndeshje. Pika më e fortë është kolektivi, grupi.

Nuk kemi pasur asnjëherë objektiv titullin kampion, por vetëm Europën. Jemi në presionin e të tjerëve pasi janë afruar, por një fitore na bën mirë”, tha Vajushi. /VipSport/