Gabriel Barbosa ësh të sulmuesi kryesor i Kukësit, i cili, edhe pse ka shfaqur probleme me golin, teksa nuk shënon prej muajsh, shihet si një pikë kyçe në repartin e avancuar. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, braziliani flet për ecurinë e tij në radhët e verilindorëve, ndërsa i gëzohet vetëm faktit që ka qenë i rëndësishëm në lojën e skuadrës.

Ai nuk është asnjëherë i kënaqur me veten (ka realizuar vetëm dy herë në 15 ndeshje deri më tani në Superiore), ndërsa shpreson që të rikthehet te goli ndaj Laçit, aty ku ka shënuar edhe rrjetën e parë të sezonit, duke bërë edhe një rit special për t’u zhbllokuar. 23-vjeçari ka edhe një apel për arbitrimin, duke shpresuar që të përmirësohet urgjentisht në vendin tonë.

Barbosa ka katër muaj e gjysmë që nuk shënon në kampionat (për herë të fundit në fitoren 0-2 ndaj Erzenit më 17 tetor 2022) dhe transferta e së hënës në orën 13:00 në Laç është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e verilindorëve.


Gabriel, si po shkon aventura juaj te Kukësi…?

I kënaqur është një fjalë që mundohem ta shmang në këtë moment. E lartë apo e ulët, mund të them që nuk do të jetë kurrë e mirë. Natyrisht që duhet të bëjmë më shumë dhe ekipi të kthehet te fitoret.


Keni shënuar vetëm dy gola deri më tani në kampionat…

Punoj gjithmonë për të dhënë maksimumin në fushë, por gjërat nuk po më ecin mirë individualisht. Megjithatë, mendoj se po bëj një punë të mirë në ekip dhe për momentin është gjëja më e rëndësishme.


Si ju duket futbolli shqiptar, në krahasim me vendet e tjera ku keni luajtur?

Nuk kam shumë për të thënë për futbollin shqiptar. Mendoj se është në zhvillim dhe ka shumë për të përmirësuar…

Flasim për Kukësin, si e shihni pjesën e mbetur të kampionatit?

Ne po shkojmë me gjithçka në këtë fazë finale, lojtarët në fushë kanë bërë një punë të mirë, stafi ynë teknik gjithashtu. Shpresojmë të ngjitemi në klasifikim, kjo është shumë e rëndësishme në këtë moment.

Në ndeshjen e fazës së parë i keni shënuar Laçit, besoni se do ta bëni sërish?

Shpresoj të shënoj përsëri. Po punoj, do të marr pak kripë guri kësaj radhe për të hequr syrin e keq (qesh).


Ndaj Teutës u mundët në ndeshjen e parë të Kupës, sa shanse keni për të përmbysur gjithçka në ndeshjen e kthimit?

Për Kupën kemi edhe 90 minuta dhe mendoj se bëmë një lojë të mirë. Topi nuk donte të hynte në portën e kundërshtarit dhe u dëmtuam sërish nga arbitrimi. Ky është një nga faktorët që duhet të përmirësohet urgjentisht në Shqipëri.