Fëmijët shkodranë do kenë mUndësinë të testohen nga trajnerët e Akademisë së Barcelonës dhe nëse e kalojnë këtë testim, mund të bëhen pjesë e saj në të ardhmen. Zbori stërvitor për këtë, do të zhvillohet pas pak kohësh në Budva të Malit të Zi. Për të bërë prezantimin e këtij zbori me trajnerët e Barcelonës, kanë mbërritur në qytetin tonë përfaqësuesit e Barcelonës në Malin e Zi. Ai që ka shpjeguar qëllimin e ardhjes, ka qenë Vesko Radoviç, I angazhuar nga klubi katalanas për këtë zbor stërvitor. “Kampi i Barcelonës është caktuar të zhvillohet në datat 20-25 maj në Budva për të parë fëmijët më të talentuar të Malit të Zi dhe Shqipërisë.


Do vijnë tetë trajnerë nga Akademia e Barcelonës për të testuar këta fëmijë dhe 2 më të mirëve do t’u jepet mundësia që të stërviten më pas tek Barcelona. Edhe për trajnerët pjesmarrës në këtë kamp, do jetë një mundësi e mirë për të parë sesi punojnë trajnerët e Barcelonës dhe për të mësuar prej tyre. Mbase vitin e ardhshëm, ky kamp mund të zhvillohet edhe në Shkodër”- ka thënë Radoviç, i cili ka qenë i shoqëruar nga një përfaqësues i Federatës malazeze, Momo Saveliç dhe një prej trajnerëve më të talentuar të moshave në vendin  fqinj, David Camaj. Bashkë me ta ka qenë edhe ish- arbitri i njohur shkodran Astrit Isufi që ka ndërmjetësuar për takimin e djeshëm me trajnerët e moshave në qytetin tonë.Por nga ana tjetër, në bisedimet me Hysen Zmijanin, shefin e Zyrës Rajonale të Federatës Shqiptare të Futbollit në Shkodër, përfaqësuesit e Barcelonës kanë diskutuar edhe për mundësinë e organizimit të një kampingu të tillë edhe në qytetin tonë vitin e ardhshëm. “Fëmijëve sot po u jepet një mundësi e artë për t’u testuar nga trajnerët më të mirë të botës. Këtë mundësi nuk e kemi patur në kohën tonë dhe na vjen keq për këtë. Sa i takon mundësisë së zhvillimit të këtij kampi në Shkodër vitin e ardhshëm, do shohim njëherë si organizohet këtë vit në Budva dhe më pas, duke parë edhe mundësitë tona të infrastrukturës, të hedhim idenë për ta bërë këtu sepse do ishte një mrekulli”- ka thënë ai. E rëndësishme është që tashmë për fëmijët shkodranë tashmë kanë mundësi për të depërtuar në Europë nëse janë të aftë, madje edhe nëpër Akademitë më me emër të saj, siç është ajo e Barcelonës.            
Gjergj KOLA