Sulmuesi i Flamurtarit, Xhevahir Sukaj, është pranë familjes në këto ditë të vështirë që po kalon i gjithë vendi. Sukaj ka luajtur vetëm 11 ndeshje këtë sezon me vlonjatët, ndërsa ka arritur të shënojë katër gola. Që prej 18 dhjetorit 2019, kur ka qenë për herë të fundit në fushë në ndeshjen Tirana-Flamurtari 2-0, sulmuesi nuk po luan për shkak dëmtimi.

Por, si po i kalon këto ditë në karantinë shkodrani dhe çfarë do të thotë për një futbollist kjo mbyllje në shtëpi? A po i zbaton masat që janë marrë dhe sa e tremb përhapja e koronavirusit? Këto, por jo vetëm, Sukaj i tregon në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, duke mos shmangur as batutat për këtë situatë.

Xhevo, besoj jeni i ngujuar në shtëpi…?

Po, patjetër regjim absolut. Jam pranë familjes.

Çfarë do të thotë kjo mbyllje për një futbollist?

Si të dëmtosh ligamentin krociat të gjurit.

Keni qëndruar ndonjëherë kaq gjatë pa dale jashtë mureve të banesës?

Në shtëpi kaq gjatë s’kam qëndruar ndonjëherë. Madje edhe në vitin 2013, kur isha pjesë e Sepahanit në Iran dhe bëra operacion pas dëmtimit në krociat, kam qëndëruar vetëm tre ditë i mbyllur në shtëpi. Më pas dola, sepse mund të lëvizja me paterica.

Si e shtyn kohën në shtëpi dhe ai i zbaton rregullat e vendosura?

Po, padiskutim që i zbatoj të gjitha rregullat. Gjatë ditës lexoj ndonjë libër dhe shikoj filma. Megjithatë, kohën e shty më tepër duke luajtur futboll me vajzën time në kushte shtëpie. Madje, kur vajza xhonglon topin, thotë: “jam legjenda e kuqe”.

Është tifoze me Partizanin?

Po, e kam tifoze me Partizanin.


Keni frikë nga përhapja e koronavirusit?

Unë jam një qytetar i përgjegjshëm për situatën që po kalon vendi ynë dhe gjithë bota. Të jemi realistë, situata është shumë serioze dhe duhet të bëjmë maksimumin që ta mbajmë veten duke respektuar urdhrat që na japin autoritetet shëndetësore. Me shpresë te Zoti do ta kalojmë shumë shpejt këtë situatë. Në këto momente është e vështirë të flasësh për futboll.