Debati në Angli rreth ligjeve anti-emigracion të kërkuara nga kryeministri Rishi Sunak, ka bërë një viktime shumë të njohur për botën e sportit. Geri Lineker është pezulluar nga BBC ku drejtonte emisionin popullor ”Match of the Day”, pasi kishte kundërshtuar këto politika.

Nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale, ish-futbollisti i njohur britanik i kishte krahasuar këto nisma ligjore si ato të përdorura “nga Gjermania në vitet ‘30“. E ndonëse ai ka marrë mbështetje nga opinioni publik në Angli ,që ka vlerësuar mendimet e tij dhe lirinë e shprehjes së opinionit, transmetuesi televiziv shtetëror nuk ka qenë aspak i kënaqur.

Kështu, nëpërmjet një komunikate zyrtare është konfirmuar pezullimi i Lineker për një afat të pacaktuar “derisa të gjendet një akord rreth përdorimit nga ana e tij të rrjeteve sociale”. Sipas BBC, Lineker kishte thyer rregulloret e këtij televizioni pasi ai duhet të qëndronte larg çështjeve apo përplasjeve politike.

“Nuk kemi thënë asnjëherë se Geri nuk mund të ketë opinionin e tij mbi një pikëpamje në çfarëdo lloj çështje, por kemi thënë se duhet të qëndrojë lag nga marrja e një pozicioni publikisht mbi çështje politike”, shkruhej ndër të tjera në komunikatën e BBC që konfirmonte pezullimin e prezantuesit shumë popullor anglez.

Në shenjë solidariteti, ish-sulmuesi tjetër i njohur anglez, Ian Rajt, ka bërë të ditur se edhe ai nuk do të marrë pjesë në emisionin e kësaj fundjave.