Bekim Balaj ka arritur përsëri të shënojë për klubin e tij Sturm Graz. Austriakët po zhvillojnë vazhdimisht miqësore për të qenë sa më gati për rinisjen e kampionatit, ku ndodhen në vendin e pestë. Ekipi austriak ditën e sotme është ndeshur me polakët e Pogon.

Kanë qenë pikërisht këta të fundit, që kanë arritur të triumfojnë me rezultatin 2-1. E vetmja shenjë e mirë e lënë në këtë ndeshje nga Sturm Graz ishte goli i Balajt, i cili arriti të dërgojë topin në rrjetë nga pika e bardhë e penalltisë.

Shkodrani duket se e ka lënë mbrapa periudhën negative në Rusi dhe marrëdhënia me golin sa vjen e rregullohet. Sulmuesi po luan rregullisht në Austri dhe konsiderohet si udhëheqësi i sulmit të austriakëve.

Ai erdhi në verë te Sturm Graz dhe që atëherë është aktivizuar në 17 ndeshje, duke grumbulluar 1400 minuta dhe shënuar pesë herë. Shkodrani duket se i ka ndezur motorët dhe trajneri i kombëtares, Edi Reja duhet të gëzohet për këtë. /VipSport