Në kampionatin e fundit të 16 vjeçarëve që u zhvillua para disa kohësh në Shkodër, në finalet e tij ndër të tjerë ka spikatur edhe një boksier. Bëhet fjalë për Besjor Gjetajn. Ai ka arritur jo vetëm të shpallet kampion në peshën 60 kg por në fund ka merituar edhe kupën e boksierit më të mirë të kampionatit.

Vlerësim i merituar i ardhur nga specialistët e këtij sporti të cilët kanë evidentuar tek ky boksier disa elementë të cilin e kanë bërë atë të veçantë në ato ndeshje të zhvilluara. Besjori është vetëm 15 vjeç dhe sipas trajnerit të tij Klaudio Çekini, premton shumë për të ardhmen. Spikat mbi të gjitha për teknikën që zotëron dhe atë e vë në zbatim sa herë që ngjitet në ring duke dominuar mbi kundërshtarët. Të mos harrojmë se ky sportist është djali i një emri të madh të këtij sporti, Besnik Gjetjes, kampionit të madh të Vllaznisë dhe të kombëtares shqiptare. Natyrisht që prej tij ka se çfarë të marrë dhe të mësojë dhe për këto arsye, me siguri që Besjori do të jetë një nga elementet e perspektivës të Vllaznisë. Dhe jo vetëm ai sepse aktualisht tek ekipi i paratërinjve të saj ka edhe elementë të tjerë që po shfaqin vlera megjithatë sot u ndalëm tek Gjetja sepse ai u shpall së fundi, më i miri i kampionatit të kësaj grupmoshe.

© shkodrasport.com