Bojan Zogoviç ka shumë besim se Vllaznia do të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë ndaj Universitatea Kraiovës, që do të luhet të enjten në orën 21:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Portieri titullar i kuqebluve prej dy sezonesh, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur për situatën në skuadër para sfidës me rumunët.

Ai është i bindur se Vllaznia i ka të gjitha cilësitë për të kërkuar kualifikimin, edhe pse vlerëson jo pak kundërshtarin. Zogoviç mendon se përgatitja që stafi i ka bërë kësaj ndeshjeje ka qenë e shkëlqyer, ndërsa dëshironte që më mirë të luhej sfida e kthimit në Shkodër. Malazezi i portës pret të shikojë një stadium të tejmbushur, në mënyrë që Vllaznia ta ketë edhe më të lehtë rrugën e suksesit. Frymëzimi është nga ndeshja e edicionit të kaluar në Ligën e Konferencës kundër Shiroki Brijegut në “Loro Boriçi”.


Bojan, gati një muaj përgatitje për ndeshjen me Universitatea Kraiovën. Si ju duket ekipi?

Mendoj se kemi bërë përgatitje të shkëlqyera. Kemi punuar shumë në Austri, edhe pse kishte ngarkesa të mëdha në stërvitje. Përshtypja është pozitive, të paktën me atë që shikoj unë. Çdo gjë është në një nivel të mirë. Mendoj se kemi vërtet një ekip të mirë.


E keni studiuar ekipin rumun gjatë kësaj periudhe?

Po, kemi parë situata të caktuara të kundërshtarit. Sigurisht që do t’i analizojmë më tej me profesorin, por tani për tani kemi informacionin bazë rreth tyre dhe e dimë se çfarë na pret.


Sa shanse ka Vllaznia për t’u kualifikuar ndaj një kundërshtari të tillë dhe të kalojë të paktën një tur, siç bëri edhe në edicionin e kaluar?

Këtë do ta shohim se sa të aftë jemi. Megjithatë, këto janë dy ndeshjet e para zyrtare të sezonit dhe duke parë nivelin e kundërshtarin mendoj se kemi një shans të mirë për t’u kualifikuar. Ata janë të fortë, por edhe ne jemi të tillë.


Ndeshja e parë luhet në Shkodër, mos ndoshta do të preferonit më mirë ta kishit në transfertë?

Sigurisht që do të ishte më mirë për të luanim ndeshjen e kthimit në fushën tonë në Shkodër, por ky nuk është problem. Unë pres që të ketë një atmosferë të mrekullueshme në stadium dhe të festojmë të gjithë së bashku pas ndeshjes.


Çfarë prisni të arrini në sezonin e ri si pjesë e Vllaznisë, në një kohë që keni fituar dy kupa?

Pres të kemi rezultate më të mira se sezoni i kaluar. Sigurisht që fituam kupën dhe sezoni që lamë pas nuk ishte i pasuksesshëm. Gjithsesi, pres që të jemi më mirë dhe të bëjmë diçka të madhe në kampionat.


Ekipin e shikoni më të fortë se vjet në cilësi?

Ne kemi një ekip të fortë dhe të gjithë po i përshtaten stilit që kemi. Nuk është kompetenca ime të them nëse na duhet ndonjë lojtar tjetër për t’u fuqizuar. Gjëja më e rëndësishme është që Vllaznia të ketë rezultate.