Kukësi dhe Vllaznia luajnë nesër në 16:45 në “Elbasan Arena”. Sfida e javës së 24 është e rëndësishme për skuadrat, që me 38 pikë të grumbulluara ndajnë vendet e 3 dhe 4 mes tyre. Trajneri i shkodranëve, Thomas Brdaric në konferencën për mediet ka treguar se nuk e ka problem nga katër mungesat në ekipin e tij, teksa i kujton Kukësit humbjen me Partizanin 5-0 dhe se sa hapësira lënë verilindorët.

“Vendimtare me Kukësin? Për mua çdo ndeshje është deçizive. Nesër, për mua është vazhdimi i një serie ndeshjesh që duhet të fokusohemi sepse kemi kundërshtarin me pikë të njëjta në renditje. Duhet të kemi përqëndrim te ajo që ne mund të bëjmë, për të mbajtur larg Kukësin.

Da Silva, Adili, Gurishta, Jonuzi dhe Hoxhaj mungesa – Nuk kam “dhimbje koke”. Kam më shumë se 11 lojtarë. Nesër është një ndeshje ku secili do tregojë atë që di të bëjë më mirë, që vlen për këtë ekip. Është një punë e madhe në seancat stërvitore dhe ata janë gati kur thirren në apel.

Derbi 0-0? – Më pëlqen ky rezultat. Sigurisht që nuk kemi interes për ndeshjet e tjera, por ishte një duel që u luajt në një atmosferë të mirë.

Shansi për të lënë pas Kukësin – Nuk kam dëshirë për fjalë, ta tregojmë në fushë që dimë të fitojmë. Lojtarët e kanë marrë planin e ndeshjes. Kampionati vijon dhe do jemi në fokus edhe pas kësaj ndeshje.

Humbja e tyre 5-0 me Partizanin – Nëse i jep ekipeve hapësira, në Shqipëri kanë treguar se të ndëshkojnë. Kjo i ndodhi Kukësit, që humbi përqëndrimin. Partizani i pati hapësirat dhe gjeti pesë gola”, tha Brdaric.