Nesër, nis java e parë e fazës së katërt për Bylisin, që do të luajë transfertën delikate me Kastriotin në Kamzë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Naxhi Shensoi si rrallëherë në këtë sezon, do të jetë i plotë për këtë përballje. Ballshiotët do të kërkojnë ta nisin këtë pjesë të mbetur të garës me synimin për të grumbulluar sa më shumë pikë për të mbijetuar.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoi, ka folur para transfertës me krutanët në Kamzë.

“Luajmë një ndeshje të fortë dhe unë e quaj një tjetër derbi këtë javë në futbollin elitar në Shqipëri. Kështu quhen ndeshjet e forta për titullin apo përballjet e ekipeve nga i njëjti qytet, por edhe kjo e radhës për ne do të ketë vlerën e një ndeshjeje derbi.

Ndeshen dy ekipe, që kanë ditur herë pas here të tregohen kockë e fortë dhe të bëjnë futboll. Kastrioti vjen pas një fitoreje me Laçin, ndërsa ne arritëm të ndalnim Vllazninë.

Por shpresoj që në fushë të triumfojë loja e ndershme dhe të ketë cilësi e spektakël. Ma besoni që nuk do të jetë ndeshje vendimtare, nuk e vendos kjo sfidë mbijetesën në Superiore, sepse janë shumë pikë në lojë dhe të gjitha ekipet janë në garë.

Prandaj të respektojmë veten dhe sportdashësit dhe të vazhdojmë që të rrisim cilësinë e kampionatit. Të vazhdojmë të bëjmë më të mirën tonë. Si ne, ashtu edhe Kastrioti duhet të demonstrojmë spektakël”, tha Shensoi, duke shpresuar që kjo sfidë të gjykohet nga një arbitër i FIFA-s.

Trajneri Naxhi Shensoi analizon edhe gjendjen e skuadrës së tij dhe përveç impenjimit, kërkon edhe pak fat, që deri më tani ka munguar.

“Po punojmë shumë me të gjithë lojtarët, sepse gara tashmë hyn në fazën e vet interesante dhe kjo fazë është delikate. Në lojë janë 27 pikë. Janë shumë, por ne tashmë nuk duhet që të gabojmë më. Kam besim se lojtarët pas lojërave të fundit do të kërkojnë edhe rezultat, sepse si ne, ashtu edhe Kastrioti jemi ekipe të njëjta.

Bylisi nuk duhet që të ishte në këto pozita, por ne duhet të shohim para. Ua kam thënë edhe djemve, duhet që të analizojmë të shkuarën dhe të nxjerrim mësime që të na shërbejnë për të ardhmen”, përfundoi trajneri i ballshiotëve Naxhi Shensoi në prononcimin për gazetën.