Sipas portugezes “Publico” Cristiano Ronaldo dhe Jorge Mendes nuk do të bashkëpunojnë më me njëri-tjetrin. Mësohet se raporti mes ish-yllit portugez dhe super menaxherit është prishur një herë e mirë që në momentin e intervistës që dha lojtari për Piers Morgan.

Ankandi i munguar – “Publico” zbuloi se Mendes kishte qenë i prerë me klientin e tij kur e kishte ndaluar që të jepte intervistën. Sipas Mendes ky hap do të bënte që klienti i tij të gjendej pa ekip pasi nuk kishte oferta nga klube të tjera. Nga ana tjetër “Publico” zbulon se Ronaldo ishte i bindur se ofertat do të vinin në rast se ai do të paraqitej mirë në Kupën e Botës.

Mendes e dinte fare mirë se ofertën e vetme që mund të plotësonte kërkesat ekonomike të klientit të tij e kishte bërë vetëm Al-Nassr dhe për këtë arsye ai e bëri publike para Botërorit me qëllim që të nxiste një ankand… i cili nuk ndodhi kurrë.

Konflikti – Me paraqitjen e dobët të CR7 në Botëror zbritën shanset që një klub i madh të ofronte shumat e kërkuara. Në këtë pikë u fut në skenë menaxheri personal i Ronaldo-s, Refuge. Ky i fundit udhëtoi në Katar duke shkaktuar jo pak polemika pasi kalonte kohë pranë lojtarëve.

Tani disa javë më vonë u kuptua se prania e Refuge-s në Katar kishte të bënte me të ardhmen e lojtarit pasi ishte ai që ndërmjetësoi me klubin saudit për transferimin e bujshëm. Aty nisi dhe konflikti i madh që më pas dërgoi deri në ndërprerjen e marrëdhënieve mes kompanisë të Mendes, “Gestifute”, dhe Cristiano Ronaldo-s.