Pas shkarkimit të trajnerit Migen Memelli, Skënderbeu po mendon për emërimin e teknikut të ri. Kështu, burime pranë klubit korçar bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se drejtuesit po mendojnë për rikthimin e Skënder Gegës në drejtimin e skuadrës.
Emri i tropojanit është favoriti kryesor për drejtimin e Skënderbeut në periudhën e ardhshme të kampionatit. Në fakt, Gega u largua nga korçarët në përfundim të sezonit të kaluar, teksa për të mund të jetë një rikthim për herë të dytë në Korçë si trajner. Deri tani, nuk ka ende asgjë përfundimtare të vendosur, por gjithçka mbetet në kuadrin e bisedimeve mes presidentit Ardian Takaj dhe trajnerit Skënder Gega.
Në fakt, objektivi i Skënderbeut është i qartë këtë sezon, të rikthehen në Superiore. Megjithatë, rezultatet e arritura në Kategorinë e Parë, nuk lanë një shije të mirë në kampin korçar, ç’ka solli edhe shkarkimin e trajnerit Migen Memelli.
Kujtojmë këtu se, për Skënderbeun luajnë katër shkodranë, siç janë Ditmir Beci, Belajdi Pusi, Ardit Nikaj dhe Uendi Vecaj, të cilët me gjasë, në të ardhmen do të drejtohen nga trajneri tropojan, Skënder Gega.
Maringlen ZHIVANI