Sot ose nesër, Juventusi do të mësojë më shumë rreth çështjes së 15 pikëve, të cilat iu hoqën pak javë më parë nga Gjykata e Apelit të Federatës, por iu rikthyen sërish në datën 20 prill.

Kolegji i Garancisë, ka marrë çështjen përsipër dhe këto dy ditë, duhet që të dorëzojë raportin e argumentuar në lidhje me pikët e rikthyera.

Pas dhënies së argumenteve, do të mbahet edhe seanca dëgjimore në lidhje me vendimin dhe kjo seancë duhet që të mbahet brenda 30 ditëve e më pas do të përcaktohet edhe gjyqi për vendimet e reja në lidhje me Juventusin.

Mediat italiane, raportojnë se vendimi i ri do të jepet në datën 4 qershor, aty ku edhe Juventusi do të njihet me dënimin që do të marrë, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe mundësia që bardhezinjtë, t’i drejtohen sërish Kolegjit të Garancisë.