Nuk ka më dyshime, Bylisi mbetet pa trajner. Pas rënies në Kategorinë e Parë merr fund aventura e Veljko Dovedan me mallakastriotët. 67-vjeçarit i ka mbaruar kontrata dhe pas tri vitesh i jep fund këtij kapitulli.

Dovedan vendosi një rekord në Ballsh, duke e drejtuar ekipin për tri sezone radhazi pa ndërprerje, gjë të cilën nuk ishim mësuar ta shikonin me këtë klub, pasi paraardhësit e tij nuk kanë pasur jetëgjatësi në stol.

Lajmin e largimit e ka konfirmuar enkas për “Panorama Sport” vetë tekniku, i cili pohoi se i ka mbarur marrëveshja trevjeçare. Ai ikën me një “lum” falënderimesh nga ballshiotët, ndërsa nuk uron që t’i urojë Bylisit rikthimin e shpejt në elitë.

“Pas tri vitesh pune në Ballsh, kontrata ime me klubin ka mbaruar. Kështu që do të largohem nga ekipi. Mendoj se Bylisi meritonte një fat më të mirë në fund të sezonit të fundit. Kështu që verdikti final dhe përfundimi i kontratës, më bën që të iki.

Kanë qenë tri vite shumë të bukura për mua dhe për këtë dua të falënderoj presidentin dhe gjithë familjen Kapllanaj. Nuk mund të harroj të gjithë lojtarët me të cilët kam bashkëpunuar në këto vite dhe mbi të gjitha tifozët që më kanë përkrahur gjithmonë. Bylisit i uroj gjithë të mirat në vijim dhe të kthehet sa më shpejtë në Kategorinë Superiore.

Largohem me përshtypjet më të mira nga ai qytet, ndaj dua t’i falënderoj të gjithë”, u shpreh fillimisht ai, që merr zyrtarisht statusin e ish-trajneri të Bylisit.

E ARDHMJA – Pasi konfirmoi “divorcin”, tekniku na tregon edhe për të ardhmen e tij. “Pas përfundimit të kontratës me Bylisin do të kthehem në shtëpinë time dhe për disa ditë do të pushoj me të gjithë familjen. Besoj se kam akoma për të dhënë si trajner, ndaj mbetem i hapur për interesimet, ku padyshim do të vlerësoj atë që më përshtatet më shumë”, shtoi 67-vjeçari.

I pyetur se a mund ta shikojmë sërish në drejtimin e ndonjë ekipi shqiptar, Dovedan në përfundim tha: “Jam i hapur si për klube në vendlindje, por edhe jashtë saj, aq më shumë në Shqipëri, ku kalova tri vite pozitive në Ballsh”.