Ditën e sotme ka hedhur zyrtarisht firmë në kontratë një nga volejbollistët e ardhur tek Vllaznia. Bëhet fjalë për Dragan Boshkoviç. Malazezi është i datëlindjes 08.06.1994 dhe vjen nga ekipi i Buduçnost. Të dhënat e tij duken shumë të mira dhe po ashtu kemi të bëjnë me një volejbollist shumë cilësor. Fakti që sezonin e kaluar ka qenë kapiteni i ekipit kombëtar U-19 të Malit të Zi, flet vetë. Gjërat kësisoj janë në rrugë të mbarë për Vllazninë e volejbollit. Afrimi i një sponsori, emri i të cilit ende nuk është bërë i ditur nga ana e klubit shkodran, ka rregulluar shumë gjëra në këtë ekip që është pretendent për titullin kampion. Vetë Boshkoviç duke folur shkurt për gazetën www.shkodrasport.com, ka thënë: “Kam ardhur tek Vllaznia ngaqë e di se ajo lufton për të fituar titullin kampion këtë sezon dhe prandaj do bëj çmos për ta ndihmuar në arritjen e këtij objektivi”. Për volejbollistin tjetër që është në provë, bëhet fjalë për një malazez me origjinë sllovene, drejtuesit e skuadrës ende nuk kanë vendosur megjithatë në ditët e ardhshme do të sqarohet fakti nëse ai do firmosë apo jo ashtu siç bëri Boshkoviç.
Gjergj KOLA