FC Vushtrria është një nga skuadrat që tashmë ka nisur të bëjë ndryshime rrënjësore.

Vushtrriasit pasi dështuan të inkuadrohen në elitën e futbollit tonë, tashmë janë duke u mobilizuar në mënyrën më të mirë të mundshme për edicionin e ri.

Ardhja e Muhamet Dragushës në postin e Drejtorit Sportiv të këtij klubi më nam në vendin tonë, ka sjellë frymë krejt tjetër tek Vushtrria.

Vushtrriasit mbrëmë emëruan në krye të shtabit teknik Samuel Nikajn, trajner i njohur në Shqipëri, por edhe në Kosovë.

Drejtori Sportiv i Vushtrrisë, Muhamet Dragusha në një prononcim për RTKLive, ka premtuar se skuadra e tij do të jetë krejt ndryshe në edicionin e ri.

Sipas tij, gjatë kësaj verë, Vushtrria do të sjellë përforcime të mëdha, madje, sipas Dragushës, qysh tash trajneri Nikaj ka propozuar 6-7 lojtarë nga Shqipëria.

“Ne kemi vazhduar kontrata më disa lojtarë të sezonit të kaluar, derisa disa lojtarë do të largohen, por ne jemi duke negociuara me disa lojtarë të shquar për ta përforcuar skuadrën aty ku ka nevojë”, ka thënë Dragusha.

“Trajneri Nikaj që është një trajner i njohur për punën e tij profesionale, tashmë na ka sugjeruar 6-7 lojtarë që luajnë në Superioren e Shqipërisë, e të cilët synojmë t’i sjellim në Vushtrri”, ka theksuar Dragusha.

Ish-futbollist i disa skuadrave të njohura në vendin tonë, thotë se është duke u bërë një organizim jashtëzakonisht i mirë në FC Vushtrria. Ai është i bindur se skuadra vushtrriase do të arrijë objektivin e saj, inkuadrimin në Superligë.

“Vushtrria do të jetë ndryshe në kampionatin e ri. Është duke u bërë një organizim shumë i mirë nga kryesia e klubit e shtabi teknik.

Të gjithë ata që janë të angazhuar në klub po bëjnë punë të madhe. Do të kemi ndërtojmë një skuadër të denje, skuadër më përvojë dhe jam i bindur se pa problem do të arrijmë objektivin tonë, inkuadrimin në Superligën e Kosovës”, ka përfunduar Dragusha.