Fitorja e thellë ndaj Vorës dhe shkëput ja me 10 pikë nga ndjekësit më të afërt, ekipi i Erzenit, ka shtuar optimizmin në kampin shkodran. Por, një nga të shumtët që iu gëzua kësaj fitoreje ishte edhe nigeriani Eziamaka.
Më në fund, ai ka arritur të shënojë për herë të parë për fanellën kuqeblu, madje në sfidën e së shtunës realizoi dopietë. Gëzimi i tij duke realizuar saltro pas shënimit të golave duket se ka qenë i ligjshëm. Por, nga ana tjetër, kjo ka shtuar edhe dëshirën e tij që përballë ekipit që u shkaktoi humbjen e parë kuqebluve, Ilirisë, të jetë pse jo nga minuta e parë.
Tekniku Hasan Lika duket se ka të gatshëm tashmë edhe një forcë më shumë në sulm. Ai e ka aktivizuar lojtarin si zëvendësues, por deri para takimit me Vorën Eziamaka nuk kishte gjetur ende rrugën e rrjetës. Pas këtyre dy golave, dëshira e nigerianit është që të jetë pjesë e formacionit dhe kërkon më shumë minuta. Dy golat e shënuar në përballjen ndaj Vorës duket se kanë shtuar dëshirën e nigerianit që të jetë në krah të brazilianit Xhunior.
Ndoshta tekniku Lika tashmë mund të shohë edhe mundësinë e aktivizimit të këtyre dy lojtarëve njëkohësisht në repartin e sulmit për të parë më mirë vlerat e Eziamakës, i cili duhet thënë se ka pasur edhe mundësi të tjera për ta treguar veten. Gjithsesi, duhet pritur nëse dygolëshi i parë i tij mund të sjellë një zgjim të këtij sulmuesi.
E po ashtu Vllaznia mund të fitojë edhe një tjetër sulmues të huaj përveç Xhunior. Ndërkaq, trajneri Lika deri tani ka luajtur me skemën me vetëm një sulmues në majë siç është Xhunior. Por, duke parë formën e mirë të Eziamakës, mund të shihet që të luajnë të dy njëkohësisht.
Stërvitja
Vllaznia dje ka nisur përgatitjet për takimin e fundit të fazës së dytë, atë që do të ketë në Shkodër përballë Ilirisë. Ndaj kësaj skuadre, tekniku Lika dhe ekipi kuqeblu do të kërkojnë “hakmarrjen” e asaj humbjeje të parë që skuadra pësoi në fazën e parë në Fushë-Krujë.
Nga sa është parë edhe në seancën e djeshme stërvitore, teknikun e shqetëson sërish dyshja e mbrojtjes, Malota dhe Marku. Që të dy nuk kanë qenë të bashkuar me ekipin. Për Malotën mësohet se shqetësimet e dëmtimit janë drejt rikuperimit, ndërsa nuk mund të thuhet ende e njëjta gjë për sa i përket Markut. Mbrojtësi i majtë vijon që të ndiejë shqetësime.
Ndërsa mungon ende kapiteni Gilman Lika. Ai mund të mos jetë gati as për përballjen e së shtunës ndaj Ilirisë. Nga ana tjetër, trajneri Lika dje ka pasur të gatshëm të gjithë lojtarët e tjerë, të cilët fatmirësisht gëzojnë një gjendje të mirë si shëndetësore e po ashtu edhe psikologjike.