Ilir Daja është padyshim një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri, për të mos thënë më i mirë. Pikërisht këtë gjë e tregojnë edhe rezultatet e arritura nga tekniku i Skënderbeut ndër vite. Trajneri bëri arritje të mëdha me Skënderbeun para 3 viteve, ku u kualifikua me korçarët në fazën e grupeve të Europa Ligës.

Daja u kthye përsëri te korçarët këtë sezon, ku skuadra nën drejtimin e tij ka treguar paraqitje shumë të mira. Në Korçë presin një përgjigje pozitive nga Gjykata Federale në Zvicër, që mund t’i hiqte ose reduktonte dënimin bardhekuqve. Por, në rast se kjo nuk ndodh, atëherë një pjesë e mirë e lojtarëve mund të largohen dhe bashkë me ta edhe Ilir Daja.

Ky i fundit shpesh është lidhur me një kalim të mundshëm te Tirana, teksa edhe vetë presidenti i bardhebluve, Refik Halili është shprehur se një nga trajnerët më të mirë që ka pasur ka qenë pikërisht Daja.

Megjithatë e ardhmja e Dajës pritet të jetë larg Superiores. Sipas asaj që shkruan “Sportmedia.mk”, tekniku aktual i Skënderbeut mund të marrë drejtimin e Shkëndijës së Tetovës. Drejtuesit e këtyre të fundit kanë zgjedhur Dajën, si trajnerin e ardhshëm, në rast të një largimi të Ernest Gjokës.

Thuhet se Daja nuk do të vijë i vetëm nga Skënderbeu te Shkëndija, pasi ndihmës të tij do të ketë pikërisht lojtarin e bardhekuqve, Artim Pollozhani, i cili në të kaluarën ka luajtur për kuqezinjtë./cna/