Mund të jetë një fakt shumë i çuditshëm ai që po ndodh në klubin shumësportësh Vllaznia. Drejtuesit e tij, kanë lajmëruar sportistët dhe trajnerët se do paguhen me gjysëm shpëblimi apo trajtimi ushqimor për muajin dhjetor. Nuk dihet se nga ka dalë ky veprim por ky është realiteti. Zyra e financës së klubit është justifikuar me shprehjen se “shteti dy herë në muaj, u jep 15 ditë pushim sportistëve”. Që do të thotë se edhe në gusht, ata janë paguar vetëm me gjysmën e trajtimit ushqimor ndonëse ata kanë dalë përditë në stërvitje dhe kështu po ndodh edhe në dhjetor. Pra, gjithë sportistët e klubit shumësportësh Vllaznia që marrin trajtim ushqimor, për dhjetorin ashtu si në gusht, do marrin gjysmën e tij. Për shembull, nëse një basketbollist paguhet me 100 mijë lekë të vjetra trajtim ushqimor në muaj, për këtë muaj ka marrë vetëm 50 mijë lekë!!! Një histori që nuk duhet të gjejë shpjegim ngaqë Bashkia Shkodër i ka të planifikuara që në fillim të vitit shpërblimet-trajtimet ushqimore të sportistëve për 12 muaj dhe jo për 11. A është urdhër i Bashkisë për të mos i marrë këto lekë, a është rregull, këtë sportistët nuk e kanë shumë të qartë megjithatë ata janë shumë të pakënaqur me këtë që po ndodh.

www.shkodrasport.com