Zhoze Murinjo e ka mbyllur me një karton të kuq ndeshjen mes Romës së tij dhe Torinos, që përfundoi me shifrat 1-1. Në fund të duelit, ai ishte i acaruar me gjyqtarin kryesor të sfidës dhe e ofendoi. Kjo solli një karton të kuq për trajnerin portugez.

Por si rrallëherë, pas sfidës Murinjo pranoi se kishte gabuar me sjelljen e tij. “Përjashtimi ishte i drejtë, fjalët e mia ndaj gjyqtarit e meritojnë një karton të kuq. Pas ndeshjes i kërkova falje për fjalët e mia.

Por nuk dua të flas për paraqitjen e tij si arbitër dhe ndikimin që kishte në ndeshje”, theksoi trajneri i Romës.Ai foli edhe për një tjetër episod, atë të penalltisë së humbur nga Beloti kur rezultati ishte ende 1-0 për Torinon.

“Nuk ishte ai personi që duhej të gjuante, por nuk dua të them se kush ishte caktuar. Problemi për mua nuk është të gabosh, por kur mund të bësh më shumë e për një arsye apo një tjetër nuk e bën. Çështje brishtësie apo që futbolli nuk është gjëja më e rëndësishme në jetën e tij. Megjithatë Beloti kishte kurajën për të gabuar”, tha Murinjo pas sfidës.