Shpëtim Duro është kapur në befasi nga vendimi i klubit të Egnatias , sepse ata kanë vendosur t’ia komunikojnë me një SMS largimin. Në reagimin ekskluziv për “Panorama Sport” ai u ka uruar fat në të ardhmen, duke iu kujtuar drejtuesve se e ka lënë skuadrën vetëm 2 pikë larg Europës.

“Dje kam drejtuar stërvitjen si zakonisht dhe pas saj, jam njoftuar me një mesazh për vendimin që kanë marrë. Ashtu e kanë menduar dhe inshallah ju del për më mirë ky ndryshim që bënë.

Skuadrën e mora kur ishte në vendet e fundit dhe më vjen mirë që e lashë me vetëm dy pikë larg vendit të tretë, që të siguron një vend në Kupat e Europës.

Oshilacionet në një skuadër gjatë një kampionati janë normale, por gjithsesi objektivat shikohen në fund nëse janë realizuar dhe jo në mes të garës”, ka thënë Duro ekskluzivisht për “Panorama Sport” pas vendimit të klubit për shkarkimin e tij.