Dy ekipet e volejbollit të klubit Vllaznia e kanë nisur me humbje kampionatin e ri. Ekipi i meshkujve ka luajtur në Shkodër me Teutën dhe është mundur me rezultatin 1-3. Me të njëjtin rezultat është mundur edhe ekipi i femrave por ndryshimi është se ata kanë humbur në Korçë ndaj Skënderbeut. Sa i takon ekipit të meshkujve ndoshta nuk pritej humbja por ndeshja ka treguar tjetër gjë.

Vllaznia nuk ka patur asnjë ndryshim në përbërje në krahasim me një sezon më parë, veçse janë shtuar disa elementë të ardhur nga ekipi i të rinjve. Pra ndaj Teutës kanë luajtur Miloti, N. Qafarena, Taflaj, Jukni, Çekini, R. Kola, K. Kola, Doniku, A. Qafarena, Gjoni, Lloshi dhe Gjoklaj. Siç vërehet nga ekipi është larguar Qeraxhija ndërkohë që u fol për ardhjen e kosovarit Kajtazi por kjo nuk ka ndodhur. Durrsakët kanë fituar setin e parë 25-22 e po ashtu edhe të dytin 25-14. Të tretin e merr Vllaznia 25-19 por vetëm kaq sepse Teuta fiton edhe të katërtin 25-14 dhe krejt ndeshjen 3-1. Për trajnerin Artan Kalaja humbja ka qenë rezultat i përgatitjes së bërë kur dihet që ky ekip ka disa muaj që stërvitet në qiell të hapur si pasojë e rikonstruksionit të pallatit të sportit.
© shkodrasport.com