Flamurtari-Vllaznia, që do të luhet nesër, për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, do të jetë një sfidë, nga ku secila skuadër pret të marrë maksimumin e saj. Kjo gjë bazuar edhe në deklaratat e futbollistëve vlonjatë, të cilët vlerësojnë Vllazninë, por edhe ata vetë e pranojnë se nuk do të jetë kaq e thjeshtë.

Vlen për t’u theksuar se, Flamurtari i këtij sezoni është një skuadër e krijuar thuajse nga e para. Edhe pse në Kategorinë e Dytë, ekipi është i mirëorganizuar dhe drejtimin e skuadrës vlonjate e ka marrë trajneri Dritan Resuli, ndërkohë që janë afruar shumë futbollistë me përvojë si Shpëtim Moçka në portë, Bicaj e Pjeshka në mbrojtje, Ribaj në sulm dhe disa të tjerë të rinj, vendës dhe të huaj.

Në prag të ndeshjes së kupës, Flamurtari-Vllaznia, në një intervistë për “Shkodra Sport”, mbrojtësi i vlonjatëve, Ditmar Bicaj, shprehet se Flamurtari ka kualitet në skuadër, por pranon se do të jetë një ndeshje e komplikuar, dhe e luftuar deri në minutat e fundit.

Vllazninë, kundërshtaren e skuadrës për të cilën luan, Bicaj e vlerëson mjaft, por ai shprehet se në futboll janë të mundshme të tre rezultatet.

“Normalisht, Vllaznia vjen në këtë përballje më e avantazhuar, për vetë faktin që është ekip që luan në Superiore, por do thoja që Flamurtari vetëm kategorinë në të cilën ndodhet, ka minus në këtë përballje, sepse kontigjenti që ka brenda janë të gjithë kontigjent lojtarësh Superiore dhe të afirmuar prej vitesh. Personalisht ndaj Vllaznisë, ndjej kënaqësi sa herë luaj, sepse është ekip me traditë dhe që gjithmonë të lejon të luash futboll, si brenda apo jashtë.

Të jem realist, do jetë e vështirë, sepse e theksova edhe më lart që, Vllaznia është ekip Superiore, është në ritëm kampionati që prej datës 15 janar, por avantazhi jonë do thoja është që nuk kemi asnjë presion nga ana e klubit apo e ambjentit sportiv në Vlorë. Do luajmë dy ndeshje kupe dhe kërkojmë të japim më të mirën në këtë përballje. Në futboll janë të tre rezultatet, por dua të them që do jenë ndeshje të luftuara të dyja takimet.

Objektivi jonë, si Flamutar, parësore është rikthimi në Superiore. Kupa është kompeticion ku ne si individë e presim me shumë dëshirë dhe kënaqësi, sepse duam të shkojmë sa më larg, është çështje prestigji”,-thotë ai.

I pyetur rreth ecurisë së Vllaznisë, Bicaj shprehet se ekipi shkodran bën futbollin më të bukur në Shqipëri, teksa shpreson që kuqeblutë të rikthehen sa më parë në nivelet sa më të larta të futbollit shqiptar.

“Sigurisht që e kam ndjekur Vllazninë dhe padyshim është ekipi që momentalisht bën futbollin më të bukur në Shqipëri. Eshtë bërë një punë e madhe nga ana e drejtuesve, që Vllaznia të rikthehet aty ku jemi mësuar ta shohim dhe i komplimentoj për punën e bërë.

Sa i përket pikëve, mendoj që kanë lënë pikë me ekipet e dorës së dytë dhe kjo gjë do iu kushtojë, por janë akoma edhe shumë pikë në lojë dhe e shoh Vllazninë përsëri në luftë për titull deri në javën e fundit”,-thekson Bicaj.

Në fund, mbrojtësi 32-vjeçar, ka edhe një konsideratë të veçantë për Vllazninë dhe Shkodrën, në veçanti.

“Si verior që jam, Shkodra dhe Vllaznia janë pikë e dobët. E dua si qytet për vetë traditën që ka, qytetarinë dhe mikëpritjen. Kam shumë rrespekt për tifozërinë e Vllaznisë dhe në këtë ndeshje, le të fitojë më i miri”,-mbylli prononcimin e tij, mbrojtësi i Flamurtarit, Ditmar Bicaj.
Maringlen Zhivani