Vllaznia prej ditës së djeshme ndodhet në Austri për zhvillimin e fazës përgatitore. Shkodranët tashmë edhe të plotësuar në merkato, do marrin ngarkesat e duhura fizike për kupat e Europës, por edhe edicionin e ri të Superligës.

Për “Shkodra Sport” në mënyrë ekskluzive ka folur një prej sulmuesve legjendarë të Vllaznisë, Roland Luçi. Ish-futbollisti edhe i kombëtares sonë ndalet tek përgatitjet e këtij fillim sezoni dhe po ashtu tek ndeshja që do ketë Vllaznia në Conference League përballë Craiovas.

Luçi tha: “Nga informacionet që kam nga miq në Shkodër, e di se skuadra ka 2 javë që stërvitet me intensitet. Tashmë ata janë në Austri ku do marrin edhe një përgatitje edhe më ekstra. I kam disi larg nga qyteti ku banoj në Austri, por duke pasur lidhje shpirtërore me Vllazninë dhe disa miq të vjetër që kam në stafin aktual, do udhëtoj që t’i takoj pas disa ditësh.

Përforcimet që ka bërë Vllaznia në merkato ? Të jem realist nuk kam ndonjë informacion apo njohje për lëvizjet që janë bërë. Dhe të them të drejtën unë jam kundër për mënyrën se si trajtohet merkato në një vend si Shqipëria. Të ishte për mua nuk do lejoja fare të huaj në ekip, ose maksimalisht dy për çdo skuadër.

Vllaznia në Europë ? Duke e parë nga larg situatën mendoj se shanset për kualifikim janë 50 me 50. Besoj se edhe kuqeblutë kanë shanset e tyre për te kaluar turin. Dhe po ashtu uroj të mos ketë incidente në Shkodër nga ana e tifozëve. Në mënyrë që ekipi të ruhet për pjesëmarrjen e mëtejshme në kupat e Europës”.
Endri ÇINARI