Peshëngritja shkodrane e ajo shqiptare shumë shpejt mund të ketë një tjetër sportist i cili mund të arrijë rezultate të larta Ndërkombetare. Bëhet fjalë për Emanuel Lushin, një djalë 13 vjeçar i cili është pjesë e Vllaznisë dhe çdo ditë stërvitet në palestrën e peshëngritjes. Trajneri i tij Muhamet Tuzi në bazë të të dhënave që ka Emanuali beson se brenda një kohe të shkurter ai do jetë në piedastal në garat Ndërkombëtare duke ndjekur shembullin e peshëngritësit të njohur Erkand Qerimaj i cili ka koleksionuar një sërë medaljesh europiane e botërore. Për t’i dhënë një suport dhe mbështetje morale trajneri Tuzi i shoqëruar nga Erkand Qerimaj kanë zhvilluar një takim para pak kohësh në shkollën 9 vjeçare “Frederik Gjoni” në fshatin Bërdicë ku peshëngritësi i ri Lushi mëson. Trajneri Tuzi dhe peshëngritësi Qerimaj janë pritur nga drejtori i shkollës Bajram Dymleku në zyrën e këtij të fundit, ku i pranishëm ka qenë edhe i riu Lushi, ndërkohë që më pas vizita ka vijuar edhe në klasën e Emanuelit mes të gjithë nxënësve të tjerë të cilët janë ndjerë të emocionuar për praninë e një Kampioni të madh si Qerimaj si dhe njëkohësisht krenar për shokun e tyre të klasës që duket se ka një të ardhme të ndritur. “Ju falendrojmë për vizitën tuaj. Natyrisht që jemi të lumtur që vlerësoni nxënësin tonë. Emanueli veç tjerash është edhe një nxënës shembullor, gjithmonë i rregullt me mësimet, korrekt për gjithçka dhe i dashur me shokët e shoqet e klasës. Shkolla është shumë e rëndësishme sepse ndihmon në zhvillimin e çdo personi por edhe sporti është diçka shumë e bukur. Ndaj ne e mbështesim Emanuelin dhe i urojmë shumë suksese në botën sportive po ashtu shpresojmë që të vazhdojë të jetë edhe në mësime një nxënës shembullor” – është shprehur drejtori Dymleku. Nga ana tjetër edhe trajneri Tuzi ka folur me superlative për sportistin e tij. “Jemi të lumtur që në përbërje të Vllaznisë po rrisim një talent si Emanueli. E di që dikush mund të thotë se është shumë herët për të folur, por unë jam trajner, e stërvis çdo ditë Emanuelin dhe shoh rritjen galopante të rezultateve të tij në peshëngritje. Kjo më bën të besoj dhe të jem i sigurtë se shumë shpejt mund të shihni një tjetër medalist Ndërkombëtar të peshëngritjes që del po nga gjiri i Shkodrës ashtu si Qerimaj. Është një djalë me ambicie që gjithmonë punon shumë, është tepër i përkushtuar në seancat stërvitore dhe gjithnjë i bindur në atë se çfarë i themi. Disiplina është një nga kryesoret në sport dhe Emanueli e zbaton shumë mirë, gjë e cila do ta ndihmojë tepër atë në arritjen e rezultateve të larta” – ka deklaruar trajneri Tuzi. I kënaqur është edhe medalisti Qerimaj i cili duket se ka pas vetes një pauses të denjë. “Ka qenë edhe unë në moshën e Emanuelit dhe gjithmonë kam ëndërruar që të bëhem një sportist i madh. Është shumë e vështirë. Duhet shumë punet dhe një vullnet i jashtëzakonshëm për të arritur podiumet botërore. Këto janë factor që Emanueli i zotëron shumë mirë. Unë e shoh çdo ditë në stërvitje dhe kam vënë re se nga dita ditës vetëm përmirësohet. Do isha shumë i kënaqur nëse kam një pauses të denjë pse jo për të arritur rezultatet e mia edhe për t’i tejkaluar ato. Emanueli gjithnjë më pyet për çdo dyshim që ka dhe gjithmonë kërkon të mësojë sa më shumë për peshëngritjen. I shpjegoj me kënaqësi çdo gjë që unë di për peshëngritjen dhe ai e mëson dhe mënjëherë përpiqet ta vejë në zbatim. Ka ego të madhe dhe besoj se do të bëhet një Kampion i madh” – ka theksuar Qerimaj në fjalën e tij. 13 vjeçari Emanuel Lushi megjithëse nuk ka shumë kohë që është angazhuar me sportin e peshëngritjes, ai ka dhënë sinjalet e para sa i takon rezultateve pozitive. Në peshën 50 kilogram në Kampionatin e Paratërinjve që u zhvillua në Elbasan vitin e kaluar ai u shpall Nënkampion Kombëtar. Tashmë synimet e tij dhe të trajnerëve shkojnë shumë larg deri në arritjet e mëdha Ndërkombëtare. Pas rezultateve të larta të shkodranëve Erkand Qerimaj e Xhulio Prroni, tashmë duket se nuk do të jenë të vetmit sepse i riu Lushi është premtues dhe për pak kohë besohet të jetë në vendet e nderit në Europë e botë.

Senad Nikshiqi