Pas pezullimit 13 mujor Erkand Qerimaj është rikthyer sërish në pedanë. Peshëngritësi shkodran ka marrë pjesë në garat e Kupës së Shqipërisë të zhvilluara dy ditë më parë në Elbasan dhe ka zënë vendin e parë në peshën e tij. Mbi të gjitha ka treguar se është sërish në formë dhe premton se do të kthehet edhe më I fortë se ka qenë para pezullimit. “Kam patur më pak se 20 ditë në dispozicion për t’u stërvitur në nivele të larta sepse kam patur një dëmtim në gju por stërvitja që kam zhvilluar në Greqi më ka bërë mirë. Fakti që në garat e Kupës së Republikës arrita të ngrejë 187 kg, pra vetëm 3 kg më pak se në Europianin ku u shpalla kampion Europe, tregon se jam në një formë të mirë sportive. Megjithatë më duhet shumë punë për ta ruajtur këtë gjendje dhe për ta përmirësuar edhe më shumë ngaqë në prag është Kampionati Botëror ku do të marr pjesë”-ka thënë ai për gazeten.

Vendi I parë në podium në Elbasan duket se I ka kthyer humorin Erkandit. Ai ka kaluar momente të vështira gjatë pezullimit mbi njëvjeçar por ka treguar karakter duke e ruajtur veten dhe formën. I pyetur sesi e ka ndjerë gjatë këtyre muajve të pezullimit larg shtangës, Qerimaj do të përgjigjej: “Në fakt vetëm larg garave kam qenë gjatë kësaj periudhe sepse me shtangën kam qenë gjithnjë pranë sepse jam stërvitur rregullisht. Njeriu prandaj duhet të tregojë karakterin e tij të fortë në momente të tilla të vështira dhe unë mendoj se edhe me mbështetjen që kam patur nga njerëzit  e mi të afërt, e kam kaluar atë “. Pas suksesit në Elbasan, ish- kampioni I Europës përgatitet për Botërorin. Nga dita e sotme ai do kthehet sërish në Greqi ku do të zhvillojë fazën më intensive të përgatitjeve, I pyetur nëse do rikthehet sërish në nivele të larta, Erkandi përgjigjet: “Jam duke punuar për t’u rikthyer sërish në ato nivele që kam qenë para pezullimit madje edhe për më lart. Prandaj do të vazhdoj stërvitjen sërish në Greqi. Për momentin gëzoj një formë të mirë dhe shpresoj të kem edhe pak fat ta ruajë këtë gjendje deri në fund në mënyrë që të nderoj sërish veten dhe Shqipërinë”.
Gjergj KOLA