Ditën e djeshme, është mbyllur turneu 3-ditor i turneut amator të volejbollit, “Volejpoja Beach Trophy 2022”, që u zhvillua në plazhin e Velipojës. Në fakt, ka qenë një organizim i Bashkisë Shkodër dhe FSHV, që e kanë kthyer plazhin më të madh të brigjeve të Adriatikut, në qendër të vëmendjes së garave sportive në rërë dhe promovimit të vlerave turistike.

Kështu, 25-ndeshje u zhvilluan përgjatë tre ditëve të aktivitetit, të ndara në kategoritë meshkuj dhe femra, përballje këto ku u shënua shumë rivalitet dhe emocione, teksa në fund u kurorëzuan edhe tre ekipet më të mira.

Në fakt, ishte n/kryetari i Bashkisë, Ardit Qylybyli, i cili ndau çertifikatat dhe medaljet për fituesit. Fitues të vendit të parë në kategorinë e meshkujve dolën Nikolin Qafarena dhe Fatjon Çekini, ndërsa tek femrat Edna Erkoçi dhe Laura Ballçiti.

Vendi i dytë për meshkuj shkoi tek Elidon Marku dhe Zamir Vjerdha, ndërsa për femra dolën Izabela Dodani dhe Xhesika Kaçin. Ndërkohë, vendi i tretë për meshkuj ishte për Dorjan Tafën dhe Fatjet Haxhagiq, ndërsa për femra për Klodeta Zhivanin dhe Stela Kirin.
Maringlen ZHIVANI