Gjatë karrierës së tij si futbollist është rritur tek Akademia Vllaznia me të cilën ka kaluar të gjitha grupmoshat. Më pas me të rriturit ka filluar të luajë me ekipin e Burrelit me të cilin aktivizohet për dy muaj ndërkohë që më pas kalon tek Ada, ekip me të cilin luan për pesë sezone me rradhë, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Por jo vetëm kaq. Në sezonin 2016-2017 përveçse si futbollist nis të bëjë njëkohësisht edhe detyrën e trajnerit. Diçka e rradhë në fakt sepse është vetëm 26 vjeç, megjithatë tregon autoritet dhe shfaq prirjet e duhura për ta bërë edhe këtë detyrë. Ky ishte një “ngacmim” për të vijuar tashmë në fushën e trajnimit.

Vendos t’i thotë përfundimisht lamtumirë futbollit të luajtur në një moshë të re, megjithatë duke mos parë shumë perspektivë në të, kërkon të mos largohet nga futbolli, të cilin e ka edhe traditë familjare, por tashmë për të nisur një rrugëtim të gjatë e të suksesshëm si trajner.

Në verën e vitit 2017 vendos të largohet nga Ada duke kaluar tek “Albanian Ajax School” ku punon për një sezon duke drejtuar ekipin U15. Më pas, në verën e vitit që shkoi, me riorganizimin e bërë nga shoqata “Djelmnia shkodrane”, bashkë me shokun dhe mikun e tij Arber Shytani, kalojnë tek ajo.

Vetë Çaku drejton ekipin U15 me të cilin ka filluar të spikasë me paraqitjet e tij. Në rradhë të parë si prioritet të punës ka vënien e rregullit dhe disiplinës tek pjestarët e këtij ekipi. Sa i takon rezultateve, për të nuk janë prioritet sepse vetë qëllimi i drejtuesve të shoqatës nuk janë titujt kampionë, por evidentimi i elementëve cilësorë të cilët më pas mund të kenë një të ardhme më të mirë në futbollin europian.

Aktualisht Çaku është vetëm 28 vjeç, por duket se ka një jetë të tërë që trajnon në futboll. Gjithsesi, dëshira e tij vazhdon të jetë shumë e madhe për të bërë gjëra të mira në këtë fushë. Ndonëse ka vetëm pak muaj në krye të ekipit Djelmnia U15, rezultatet nuk i kanë munguar.

Aktualisht ndodhet në vendin e tretë në renditje pas përfundimit të fazës së parë të kampionatit dhe pretendimet i ka për të bërë edhe më mirë në gjysmën e dytë të tij.
Gjergj KOLA