Të dielën ka shënuar të parin gol për ekipin e tij të ri- Domzhalen dhe kjo padyshim që e ka kënaqur sulmuesin 19 vjeçar shkodran Rubin Hebaj. Këtë gjë ai e ka pranuar edhe në një intervistë ekskluzive për “Shkodra Sport” teksa ka deklaruar: “Kuptohet që kënaqësia ishte e madhe pas shënimit të atij goli, pavarësisht se nuk e ndihmoi ekipin tim ta fitonte ndeshjen.

Unë u mundova të bëj maksimumin. Dhashë pasin tek goli i parë dhe shënova të dytin. Besoj se jo keq. E prisja këtë gol sepse më kishte munguar gjatë kësaj periudhe. Ishte ndeshja e parë që kisha kaq minuta të konsiderueshme në dispozicion për të treguar vlerat e mia. Kisha mundësi të tregoja se çfarë di të bëj dhe prandaj mendoj se bëra një paraqitje të mirë”. Por ky gol dhe kjo paraqitje padyshim që do jenë një “këmbanë” edhe për trajnerin e Domzhales për t’i besuar edhe më shumë lojtarit që insistoi për ta marrë këtë verë nga Vllaznia. Por Hebaj nuk nxitohet e për këtë shtohet: “Sa më mirë të bëj unë për ekipin, aq më shumë minuta do më jepen nga trajneri sepse çdo gjë bëhet për të mirën e ekipit”. I pyetur nëse ka ndonjë objektiv sa gola do të shënojë sivjet në kampionatin slloven, ai përgjigjet: “Objektivi është gjithmonë të shënojë sa më shumë të jetë e mundur. Shpresoj që edhe me ndihmën e Zotit t’ia dal me sukses. Unë nuk kënaqem me asnjë shifër, do përpiqem të shënoj sa më shumë të jetë e mundur”. Rubin Hebaj ndërkohë është vënë nën urdhërat e trajnerit Alban Bushi për ndeshjen që Kombëtarja U-21 e Shqipërisë do të zhvillojë ndaj Irlandës së Veriut më 31 gusht dhe ku padyshim që do të tentojë të shënojë sërish sepse kjo është gjëja më e mirë që ai të bëjë.
© shkodrasport.com