Opinion nga Elert YZEIRI

Nuk kisha ndërmend të ulesha e të shkruaja, as kur pashë me live një nga momentet më të magjishme sportive të jetës sime, as sot kur ngadhënjimi i një triumfi të jashtëzakonshëm për Shqipërinë më është stivuar në arkiv. Të them të vërtetën, ashtu si edhe qindra kolegë të mi unë u mjaftova duke shijuar nga televizori garën e Erkand Qerimajt, ashtu si edhe të Romelës dy ditë më parë. Ulërita kur Erkandi mbaji mbi shpatulla si pupël 190 kg. Nuk gënjej që edhe lot më dolën prej syve. Por emocionin e shfryva vetëm duke publikuar disa foto në “Facebook”.

Vetëm pas postimit të këtij statusi në “Blackberry”-in tim më erdhi një koment i rrallë. E ç’koment? Ai ishte një grusht shumë i rëndë, më i rëndi që kam marrë profesionalisht, sot e 16 vjet që nga dita e parë që unë kam nisur të ushtroj profesionin e gazetarit. Nuk e mora nga asnjë prej kolegëve të mi, as nga eprorët; ishte një koment që ma bënte një kampion, po aq i madh sa Erkandi; ishte një koment nga një shqiptar, që është po aq shqiptar sa Erkandi, po aq sa unë e të gjithë ju që po lexoni këto rreshta. Ishte Ermal Kuqo, kapiteni i ekipit kombëtar të basketbollit, që më përplaste në fytyrë një të vërtetë, e jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që si unë bëjmë gazetari në Shqipëri.

“E ça pastaj Elerto? Ja do krenohemi edhe nja dy-tri ditë, e pastaj prapë personazhet e ‘Big Brother’-it do të jenë VIP-at e vërtetë të Shqipërisë sonë të dashur… Erkandi javës tjetër do shkojë te ndonjë pub, po s’do ta lejojnë të futet se duhet të jetë i shoqëruar, kurse ndonjë ish-personazh i BB3 ose BB4 do jetë brenda duke pirë shampanjë falas nga i zoti lokalit.. Më vjen keq për Erkandin se është kampion i kampionëve, por në një vend që shumë, shumë pak vetë ia dinë vlerat!!!”

Nuk i kam hequr e shtuar asnjë presje kësaj shqipe të kulluar, të këtij shqiptari që është rritur rrugëve të Europës, duke bërë sport, e jo sport të rremë si ai që shikojmë çdo fundjavë në Vlorë, Ballsh e Korçë, por sport kampionësh. Me lejen e tij e mora këtë ‘postulat’ dhe ia bashkëngjita këtij shkrimi, në radhë të parë si ‘shuplakë’ për veten time, e më pas dhe të gjithë njerëzit që merren sot me median. Ka shkruar shumë shqip, sepse ka thënë ato të vërteta që mua dhe kolegëve të mi na kanë dalë nga optika, pasi me hir apo pahir u kemi bërë vend të panjohurve, njerëzve pa kontribute në këtë vend.

Ka të drejtë Kuqo, sepse në titujt e kronikat tona ka më shumë vend Mesi e Ronaldo, Shumaker e Valentino Rosi (jo se nuk e meritojnë), apo më keq akoma edhe ata anonimët, që kanë mbirë nga hiçi e kudo, e shpesh me ato “dramat” e tyre të sajuara, duke spostuar në faqen e fundit heronjtë e vërtetë. Pikërisht Erkandin e Romelën, për të cilët ne u dashka të kujtohemi kur ulin në gjunjë Europën e botën bashkë.

E pse duhet të shkruajmë për Erkandin, Romelën apo Ermalin vetëm kur ata marrin medalje, apo thyejnë rekorde? Pse nuk e ngremë zërin, të çirremi e ulërasim kur ata nuk marrin shpërblimet, kur nuk grumbullohen, apo stërviten në kushte të mjerueshme? Pse ne duhet të presim që pasi kanë pështyrë gjak pedanash të nxitojmë t’u drejtojmë mikrofonat në Rinas, kur ata mbërrijë me gjoksin plot medalje?!

E kam përjetuar shumë keq këtë moment, sa thashë me veten ‘turp të të vijë që e le vetëm me një kronikë plot patos të shtirur, kur ai tanimë është bërë kampion Europe’! Lotët e rëndë të Erkandit në momentin e ekzekutimit të himnit më djegin ende në fytyrë. E urreva profesionin e gazetarit, kur të nesërmen në zyrë shfletova gazetat, jo vetëm ato politike, por edhe sportive, teksa ngjyrat e rreme të Korçës e Vlorës kishin laparosur shqiponjën e Erkandit, apo më keq akoma numrat e manipulueshëm të kompanive të basteve duke e shtyrë në fund të rreshtave suksesin e djalit të Shkodrës.

Pak javë më parë, u kërkova miqësisht disa kolegëve të shkruanin për një histori të shëmtuar që ndodhte prej 6 muajsh me Erkandin. Federata e Peshëngritjes i kërkonte me insistim KOKSH-it heqjen e bursës Erkandit. Arsyeja ishte ordinere: Erkandi nuk e meritonte, dhe atë duhej ta përfitonte një tjetër, po që Erkandi e mundi si në kampionatin kombëtar dhe në europian. KOKSH-i, për çudi, ia ka kthyer disa herë mbrapsht kërkesën, edhe pse të pafytyrët e federatës, i ulën pretendimet duke kërkuar që t’ia përgjysmojnë shpërblimin, mjafton që ta dëmtonin Erkandin. Po pse? Mos vallë emri i tij është në listën e sportistëve të dopuar që ka prodhuar kjo federatë? Apo mos ndoshta ngaqë ai ka pasur guximin të thotë me zë të lartë të gjitha ato poshtërsi që bëhen në kurrizin e sportistëve e trajnerëve?

Nuk e di nëse pas gjithë kësaj federata do të kërkojë sërish t’i hiqet bursa Erkandit. Ashtu sikundër nuk e imagjinoj dot çfarë do të thotë presidenti i kësaj federate për Erkandin, atë Erkand që deri dje e sulmonte nga të gjitha anët dhe me të gjitha mënyrat. A mund të na thotë presidenti si u stërvitën sportistët para këtij aktiviteti, pasi për fat të keq ekipi kombëtar nuk është grumbulluar as edhe një ditë të vetme. Çfarë do thotë presidenti për ekipin që çoi në Turqi, pasi në delegacionin që u nis nga Tirana kishte më shumë turistë e zyrtarë, se sportistë e trajnerë bashkë…

Një gjë është e sigurt, presidenti do të kërkojë të qëndrojë përkrah ministrit kukull në aeroport, të ngërdheshen të dy si triumfatorë, duke treguar me dorë medaljet nga gjoksi i Erkandit. Thua se, i kanë fituar vetë. Padyshim do të nxitojnë të shtojnë edhe një takim me Kryeministrin, të bëjnë foto e të mbajnë fjalime për këtë arritje të madhe, që sigurisht është meritë edhe qeverisë. Kryeministri do t’u paraprijë deklaratave të tij me një shpërblim ekstra për ta (në fakt është ai shpërblim që i takon, por kurrë nuk e marrin në kohën e duhur, ose shpesh edhe të përgjysmuar). Kryeministri do të urdhërojë edhe Komitetin Ndërministror për 100-vjetorin e Pavarësisë që të fusë edhe emrat e Erkandit dhe Romelës në axhendat që do të organizohen. Më pas do të përcillen si zakonisht, duke caktuar edhe takimin e radhës, disa muaj më vonë, me Erkandin dhe shokët e tij që do të rikthehen të protestojnë poshtë zyrës së Kryeministrit…

Nuk mjafton ky shkrim, as autokritika e specialet që do të vijojnë nga diela kur të mbërrijnë kampionët. Nuk mjaftojnë as t’u themi njëzëri në kor na falni apo faleminderit, pasi ata fituan në Europë, na mundën edhe ne! Romela, Erkand, faleminderit dhe na falni!