Akuzat e ish-trajnerit të Vllaznisë Rudi Vata ndaj drejtuesve të këtij klubi vazhdojnë. Ai në një prononcim televiziv në televizionin Rozafa ka dhënë edhe një tjetër që sipas tij, tregon “mashtrimin” që i është bërë në momentin e firmosjes së kontratës. Bëhet fjalë për anën financiare të saj teksa ajo që ishte rënë dakord paraprakisht me gojë, nuk është zbatuar në kontratë pastaj. “Kur ramë dakord që unë të vija tek Vllaznia, ramë dakord edhe për anën financiare. Ajo për të cilën u vendos ishte se unë do përfitoja x lekë rrogë në muaj. Këtë shumë unë do ta merrja në bankë në fund të çdo muaji të paprekur. Por çuditërisht kur vajta në bankë pas 2-3 muajsh, konstatova se në rrogën e çdo muaji, kisha 20 për qind më pak të shumës e cila ishte e llogaritur për taksat që duhej t’ia paguaja shtetit. Ia thashë këtë problem drejtuesve të klubit dhe ata më thanë se vetë e kisha firmosur kontratën me këtë kusht.

Në fakt, kontratën e kisha firmosur thjesht vetëm duke hedhur firmë, pa e ditur se çfarë po bëja sepse besoja në fjalën e drejtuesve. Në fakt, ne kishim rënë dakord që atë shumë për të cilën kishim rënë dakord, do ta merrja neto ndërsa taksat do ishin shtesë dhe pagesat e tyre do t’i merrte përsipër klubi. Kjo nuk ishte aspak gjë e mirë dhe të njëjtin problem në fillim të sezonit, kanë patur edhe shumë futbollistë”-ka thënë ai. Sigurisht që ditët e ardhshme mund të kemi të tjera fakti që Rudi Vata do nxjerrë ndaj klubit me të cilin ka punuar deri të hënën që shkoi. Por nga ana tjetër, vetë Vata mendon se zyrtarisht ai ende nuk është shkarkuar sepse vendimi në fjalë nuk i është bërë i ditur dhe prandaj ai pretendon të jetë ende nën kontratë me Vllaznisë përderisa t’i komunikohet zyrtarisht kjo gjë.

www.shkodrasport.com