Mbrojtësi shkodran Klodian Semina ka qenë protagonist në ndeshjen e djeshme, atë që ekipi i tij Lokarno ka luajtur në transfertë me Etoile Carouge dhe e ka fituar thellësisht 5-1. Shtatëlarti i mbrojtjes ka dhënë asistin e golit të parë, ka arritur të shënojë edhe vetë në fundin e ndeshjes pikërisht në minutat e fundit të saj pas një goditje të bukur me kokë. Me fitoren e djeshme, Lokarno ndodhet në vendin e 10-të në ligën e dytë zviceriane dhe tashmë thuajse është 100 për qind e shpëtuar nga rënia prej kategorisë. Në arritjen e kësaj, sigurisht që Lokarno një ndihmë të madhe ka marrë nga sulmuesi Sadiku. Elbasanasi ka shënuar plot 15 gola këtë sezon për të. Po ashtu, një ndihmë të madhe i ka dhënë edhe shkodrani Klodian Semina me lojërat shumë të mira që ka zhvilluar në mbrojtje. Paraqitjet e tij të mira madje kanë ndikuar edhe në faktin që pjestarë të stafit të ekipit tonë kombëtar të udhëtojnë drejt Zvicrës për ta ndjekur në ndeshje duke treguar se e kanë në vëmendjen e tyre. Megjithatë, vetë Semina mendon se duhet të vazhdojë të punojë edhe më shumë se deri tani. Në lidhje me golin e shënuar dje, ai ekskluzivisht për gazetën online www.shkodrasport.com, do të shprehej: “Kanë qenë momentet vërtetë të lumtura për mua në atë ndeshje. Përveç fitores së ekipit, që ishte shumë e rëndësishme, fakti që shënova edhe unë, më entuziasmoi edhe më tepër. Ky është goli im i parë në kampionatin zvicerian dhe prandaj i jam gëzuar edhe më shumë. Besoj se po paraqitem mirë me Lokarnon dhe kjo është pozitive për karrierën time”.

www.shkodrasport.com

Ne foto, Semina (me nr 4) ne momentin e shenimit te golit ne ndeshjen e djeshme.