Vllaznia e femrave arrin edhe fitoren e dytë në Ligën e Kampioneve të Europës. Ajo ka mundur mesditën e sotme kampionen e Maltës, Birkirkara me rezultatin 1-0, megjithatë për t’u kualifikuar ekipit shkodran I duhet të fitojë edhe ndeshjen e tretë, atë me ekipin vendas të Lituanisë. Në takimin e sotëm, ai ka nisur me gol për ekipin e Vllaznisë.

Në minutën e 16-të ka qenë amerikania Doyle ajo që e ka kaluar atë në avantazh. Një gol që u ka dhënë qetësinë vajzave kuqeblu të cilat kanë vijuar të dominojnë në lojë, madje kanë patur edhe raste të tjera shënimi por që nuk janë konkretizuar dot, ndonëse Doçi dhe futbollistet e tjera të Vllaznisë janë përpjekur mjaft.

Gjërat nuk kanë ndryshuar deri në fund dhe përfundimisht 1-0 për kampionen e Shqipërisë. Ajo udhëheq grupin 10 për momentin me pikë të plota 6, por për t’u kualifikuar për në turin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm, kjo nuk mjafton. Gjithçka do të vendoset në ndeshjen e së martës kur Vllaznia do të luajë me pretendenten kryesore, skuadrën vendase- Gintra.

Ajo konsiderohet një pengesë shumë serioze por vajzat kuqeblu duken të vendosura për të synuar kualifikimin deri në fund. 90 minutëshi I së martës pritet me shumë interes dhe presidenti Matija është I bindur se ekipi që ai drejton mund t’ia dalë këtë herë. Nuk e ka bërë në dy vitet e kaluara kur arriti sërish nga dy fitore në grup dhe tashmë do të tentojë në të tretën.
www.shkodrasport.com