Kristiano Ronaldo sot ka shfaqur një tjetër armë që ishte harruar, fluturimet mbresëlënëse për të shënuar me kokë, si rrallëkush tjetër. Sampdoria pa sot kërcimin e jashtëzakonshëm të sulmuesit, i cili është përllogaritur se është shkëputur 70 centimetra nga toka, për të arritur lartësinë 2,65 metra e shënuar me kokë mbi mbrojtësit e pafuqishëm për ta ndalur. 

Një gol i cili ka kthyer buzëqeshjen te futbollisti pas disa javëve ku ishte vënë në diskutim edhe vijimësia e tij me bardhezinjtë. “Jam i lumtur për rezultatin, Sampdoria luajti mirë por ne u treguam më të fortë. Skuadra pati një sjellje të madhe, goli ishte i bukur dhe jam i lumtur që ndihmova skuadrën për tri pikët”, tha ai për “Sky Sport” para se të komentonte edhe duelin e radhës, SuperKupën e Italisë ndaj Lacios. 

“Me Lacion do të jetë një finale 50 me 50. Ata kanë një skuadër të mirë, por ne kemi besim. Shpresoj që Juventusi të mund të fitojë, është ajo që duam. Ndjehem mirë, kam pasur ndonjë problem me gjurin por tani kam hedhur gjithçka pas krahëve, dua të ndihmoj Juventusin të fitojë trofe”, tha Ronaldo. /vipsport/