Vllaznia ka zbritur dje në fushën “Reshit Rusi” për të kryer seancën e parë stërvitore në prag të ndeshjes me Partizanin, që do të luhet të shtunën në orën 16:45 në stadiumin “Air Albania”.
Brdariç ka pak kohë për të përgatitur këtë takim, por gjithsesi që dje ka nisur të punojë nga ana taktike me ekipin. Përveç sulmuesve Ardit Hoxhaj dhe Mehdi Çoba, të cilët vuajnë prej dëmtimeve, e gjithë pjesa tjetër e skuadrës është në dispozicion të trajnerit gjerman.
Në krahasim me formacionin që fitoi kundër Teutës 4-2, ndryshimet pritet të jenë të vogla në mbrojtje dhe mesfushë. Mevlan Adili pritet të rikthehet titullar, duke zënë vendin e malazezit Bulatoviç, i cili luajti në krah të Dianjes ndeshjen e fundit.
Në mesfushë ka një balotazh mes Mustedanagiçit dhe Krujës, edhe pse trajneri ka preferuar më shumë boshnjakun nga minuta e parë në takimet e fundit.
Sulmi do të jetë i njëjtë, me Da Silvën dhe Latifin në mbështetje të maqedonasit Gjurgjeviç. Kjo treshe prodhoi supergola ndaj Teutës falë kombinimeve që bënë.
Brdariç ka edhe dy seanca në dispozicion për të fiksuar përfundimisht titullarët, teksa lutet për të mos pasur ndonjë dëmtim para Partizanit.