Kukësi mundi Skënderbeun dhe hapi garën për titull. Por te verilindorët vend për qetësi dhe festë nuk ka, pasi java pasardhëse i vendos përballë Partizanit. Një tjetër 90-minutësh i rëndësishëm, që mund të vendosë shumë rreth objektivave të verilindorëve.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, është kapiteni Ylli Shameti që “skanon” ekipin dhe zbulon “recetën” e suksesit. Lideri i mbrojtjes theksoi se pa mundur kryesuesit, trepikëshi i fundit me korçarët nuk do të kishte rëndësi.

Fitorja ndaj Skënderbeut, sa shpresëdhënëse është për rrugën drejt titullit?

Kemi bërë shumë hapa fals në këto dy faza dhe ishte momenti që të rikuperonim pikë, sepse loja ka qenë gjithmonë në nivelin e duhur. Kur kjo fitore vjen me një ekip si Skënderbeu, i cili është rivali ynë prej vitesh, mendoj se është shumë pozitive. Natyrisht që çdo fitore të bën mirë në çdo aspekt dhe vetëm kështu mund të shkosh në rrugën e duhur.

Ne s’e kemi fshehur kurrë objektivin tonë, i cili është titulli. Kemi besuar edhe kur diferenca ka qenë më e madhe. Pra, ne do t’i mëshojmë deri në sekondën e fundit ëndrrës sonë për t’u kurorëzuar kampionë. I kemi të gjitha mundësitë për t’ia dalë.

U rikthyet pas një pushimi dyjavor, çfarë problemi keni pasur konkretisht?

Kam pasur një dëmtim të mbartur që nga faza e parë, të cilit nuk i dhashë as kohën e duhur të rikuperimit. Tani mendoj se e kam hedhur pas krahëve dhe uroj të mos kem më pauza. Gjithsesi, të mos harrojmë se unë e kam filluar sezonin që në qershor, sepse kemi pasur ndeshjet në Champions edhe Europa Ligë, kështu që edhe lodhja bën të vetën.

Tri fitore me skemën 3-4-3, mos ndoshta keni gjetur formulën “magjike”?

Mendoj se më shumë se skema, kjo ka të bëjë me formën e mirë që të gjithë djemtë po kalojnë. Nëse jep shpirtin në fushë, je vigjilent, mendoj se vjen edhe rezultati. Thjesht, mbas disa hapave fals, të gjithë e kuptuan se çfarë ishte më e mira për t’u bërë për ekipin dhe për të ardhmen. U mobilizuam, të bashkuar dhe me sakrifica arritëm këtu. Kam shumë besim te shokët e ekipit se nuk do ndalemi këtu.

Çfarë ka ndryshuar te Kukësi gjatë kësaj periudhe?

Asgjë. Thjesht kemi mësuar nga gabimet e mëparshme dhe bashkë me to, pikët e plota javë pas jave po na japin më shumë besim.

Luani kundër Partizanit këtë javë, i druheni kundërshtarit?

Ne jemi Kukësi dhe duhet të kemi vazhdimësi në rezultate, kështu që edhe me Partizanin duhet të tregojmë se jemi të denjë për titullin.

Ju kënaq një barazim ndaj kryeqytetasve apo do kërkoni t’u ktheni “reston” e të marshoni drejt kreut?

Futemi çdo ndeshje për tri pikë, kështu që ky do jetë synimi ynë edhe në këtë takim. Fusha do t’i tregojë të gjitha pastaj.

Fakti që ata luajnë pa tifozë, ju favorizon?

Nuk besoj se është ndonjë faktor imponues në fushë, por natyrisht që është më mirë.

Te Kukësi shpeshherë ka pasur problematika me lojtarë të caktuar, ju si kapiten i keni vënë re dhe cili është roli juaj në dhomat e zhveshjes dhe në fushë?

Në çdo familje ku punohet për objektiva ka problematika. Kështu që, edhe te ne ndodhin. Por mendoj se duke filluar nga presidenti, stafi apo edhe unë si kapiten bëjmë më të mirën, si në stërvitje, ashtu edhe në dhomat e zhveshjes, që këto problematike të mos kthehen në çështje serioze për të humbur harmoninë në ekip. Klima është pozitive dhe jemi në rrugë të duhur mendoj. Shpresoj ta mbajmë deri në fund.