Deri në fund të janarit të gjithë ekipet e basketbollit kanë mundësi të bëjnë merkato. Periudha e ndërprerjes së kampionatit, ua jep këtë mundësi por në fakt, ekipi kryesues, ai I Vllaznisë duket se nuk ka ndër mend të bëjë ndonjë përforcim tjetër. Skuadra duket e plotë dhe sipas trajnerit Bledar Gjeçaj, kontigjenti aktual është I mjaftueshëm për të arritur objektivat që ajo ka. Ndryshe do të ndodhë nëse ekipet rivale forcohen. Këtë gjë, Gjeçaj e ka bërë të ditur në një intervistë për gazetën shkodrasport.com kur është shprehur: “Merkatoja sigurisht që varet nga financat megjithatë ne për momentin nuk e kemi ndër mend të bëjmë lëvizje të tjera. Vetëm nëse ekipet tona rivale, Kamza dhe Tirana do ndërhyjnë duke marrë lojtarë, do të jemi të detyruar ta bëjmë edhe ne një gjë të tillë për të marrë ndonjë sportist tjetër cilësor. Në rast të kundërt, kam shumë besim tek kontigjenti aktual se me të mund të arrijmë objektivat që kemi këtë sezon”.Ndërkohë ekipi ka nisur nga stërvitjet duke menduar për fazën e dytë të kampionatit, në të cilën sipas trajnerit Gjeçaj objektivat janë të qarta për të sjellë edhe titullin kampion në Shkodër ashtu siç bënë pak ditë më parë edhe me trofeun e Kupës së Shqipërisë. “Deri më tani kemi ecur mirë. Morëm një trofe duke hequr atë frikën që ekzistonte për marrjen e saj sepse kishim disa vite pa e fituar një të tillë. Ajo që uroj është vetëm të mos kemi ndonjë dëmtim që do ndikonte tek skuadra, për të tjerat nuk kam aspak frikë se do t’i bëjmë një mbyllje të mirë sezonit pavarësisht se në sport asnjëherë nuk mund t’i bësh gjërat të kryera”- ka thënë ai. Ekipi I basketbollit të meshkujve të Vllaznisë kësisoj premton të tjera suksese duke n dhuruar të tjera kënaqësi ashtu siç ka bërë deri tani teksa jo vetëm është rikthyer pas shumë vitesh tek fitorja e trofeve të munguar por edhe sepse po mbush në çdo ndeshje plot pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
Gjergj KOLA