Çiklistët e Vllaznisë kanë bërë një paraqitje të mirë edhe në kampionatin kombëtar që ka startuar pasditen e së mërkurës në kryeqytet. Gara e parë e këtij kampionati ka qenë ajo individuale me kronometër. Ekipi shkodran është përfaqësuar në këtë garë me gjashtë sportistë, tre në kategorinë kadetë dhe tre në atë xhuniorë.

Në kategorinë e parë, ka spikatur çiklisti Gjergj Zefi I cili ka arritur kohën më të shpejtë nga të gjithë duke zënë kësisoj edhe vendin e parë dhe është shpallur kampion kombëtar për vitin 2017 në këtë disiplinë sportive. Edhe dy sportistët e tjerë, Defrim Dholla dhe Samuen Bajrami janë paraqitur mirë.. Ndërkohë një rivalitet më I madh ka qenë në garën e xhuniorëve. Natyrisht që sfida për vendin e parë ka qenë e hapur në mes disa sportistëve por për çiklistin e Vllaznisë Bruno Kola, rivali kryesor ka qenë një sportist I ardhur nga Italia, Mesud Cepa. Sigurisht që kushtet e stërvitjes së tij në shtetin fqinj por edhe baza materiale dhe shumë gjëra të tjera e bënin atë favorit dhe këtë e tregoi edhe gara teksa Cepa ka zënë vendin e parë dhe është shpallur kampion. Megjithatë Bruno Kola I cili zuri vendin e dytë, ka bërë një paraqitje shumë të mirë duke dominuar sërish mbi të gjithë sportistët e tjerë që stërviten në Shqipëri. Shumë pranë podiumit kanë qenë edhe dy sportistët e tjerë të Vllaznisë që morën pjesë në këtë garë, Alfons Rrashkadoli dhe Astrit Kronaj. Kampioni I kategorisë kadetë Gjergj Zefi, për mediat dhe përmes shumë emocionesh ka deklaruar se suksesi I arritur ka ardhur falë punës së mirë të bërë në stërvitje.Kampionati do të mbyllet me garën e dytë, atë të rezistencës dhe në të padyshim që çiklistët e Vllaznisë do të kërkojnë të jenë sërish në vendet e para.