Vllaznia ka bërë merkato të mirë këtë verë, duke kthyer në skuadër disa shkodranë me shumë përvojë, por drejtuesit e saj kanë edhe disa “pengje” në lidhje me përforcimet. Administratori i klubit, Astrit Gjyrezi, në një intervistë për “VIP SPORT” ka deklaruar se do të kishte qenë i qetë dhe plotësisht i kënaqur, nëse do të kishte afruar dhe një sulmues, një qendërmbrojtës dhe një portier:

“Afrimet që kemi bërë janë cilësore, pasi dihen vlerat e Hasanit, Likës e Vucajt, por edhe Orelesin e njohim mirë. Kemi marrë edhe sulmuesin Charles Atsina, por është dashur të marrim edhe lojtarë të tjerë për të qenë të kompletuar. Na duhet një portier për të garatuar këtë sektor, po ashtu një qendërmbrojtës me përvojë dhe një sulmues. Po shfrytëzojmë të gjitha mundësitë, me aq sa na lejon koha, që në vendet bosh që kemi në listën e federimeve të shtojmë ndonjë element cilësor” – thotë drejtuesi i klubit shkodran.
Për disa ditë u përfol emri i Sindrit Gurit, shkodranit të Kukësit, por presidenti Safet Gjici nuk pranonte formulën e huazimit për këtë sulmues, duke dashur vetëm shitjen e lojtarit. Dhe Vllaznia nuk mund të blejë me mundësitë financiare që ka.
Entuziazmin e shkodranëve aktualisht e mban lart skuadra e të rinjve, që për herë të parë do të luajë në Champions League për të rinj. “Po, është e vërtet, është një entuziazëm i madh pjesëmarrja e Vllaznisë U-19 në këtë kompeticion madhor europian. Në ndeshjen në Shkodër me siguri do të jetë një atmosferë shumë e zjarrtë. Nga ky ekip kemi marrë në skuadrën e parë 3-4 lojtarë, që janë stërvitur me Vllazninë në Mal të Zi. Janë Pusi, Rajçeviç, Miloti e Isufi, lojtarë shumë të talentuar, pjesëtarë edhe të kombëtareve të moshave, që i kemi afruar në skuadër, sepse janë e ardhmja e saj”, – shprehet Gjyrezi.
Me humor drejtuesi i Vllaznisë flet edhe për përballjen e mundshme në Kupën e Shqipërisë me Tiranën: “Ta po na mbushet stadiumi plot… Ndeshja me Tiranën, gjithmonë nëse ne dhe ata i kalojmë kundërshtarët parë, patjetër që paraqet interes për vetë historinë e dy klubeve. Por fakt është që kalendari ynë në Kupën e Shqipërisë është shumë i vështirë, pasi përplasemi me skuadra shumë të forta. Megjthatë, do të bëjmë tonën dhe do të provojmë gjithçka”.
Nga Vllaznia ka pasur shumë largime pas mbylljes së kampionatit të fundit. U larguan të gjithë jabanxhinjtë, ndërsa surpriza ishte largimi i kapitenit Ndriçim Shtubina te Kukësi.